spurgeon dev 13 maj am
Maj 2023

Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.

Psalmi 30:5

I krishterë, nëse po kalon një natë sprovash, mendo për të nesërmen; gëzohu në zemrën tënde duke menduar për ardhjen e Zotit tënd! Ki durim, sepse “Ja ku po vjen duke zbritur mbi re”! Ki durim! Bujku pret derisa t’i mbledhë të korrat e Tij.

Ki durim, sepse ti e di se kush tha: “Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit, sikundër do të jetë vepra e tij”! Nëse sot gjendesh në rrethana të mjerueshme, atëherë sill ndër mend se:

Edhe disa ditë marshim në betejë,
Dhe pastaj do ta marrësh kurorën. 

Mbase tani koka jote kurorëzohet nga gjembat e halleve, por nuk do të kalojë shumë dhe mbi të do të vendoset një kurorë yjesh. Megjithëse zemra jote mund të jetë e mbushur tani me shqetësime—shumë shpejt ajo do të mbushet me lavdërimin e qiellit. Rrobat e tua tani mund të jenë të bëra me pluhur; shumë shpejt do të bëhen më të bardha se bora. Prit edhe pak! Ah, sa të parëndësishme që do të na duken hallet dhe shqetësimet tona kur t’i shohim nga lartësitë qiellore! Na duken vigane kur i shohim nga kjo fushëpamje këtu poshtë; por kur të arrijmë në qiell, do ta shohim gjithçka nga një perspektivë e re.

Atëherë sprovat tona do të na duken të lehta pendë dhe probleme të çastit. Le të vazhdojmë përpara me guxim; edhe nëse nata do të jetë e zezë sterrë, do të vijë mëngjesi, një gjë kjo e pakonceptueshme për ata që janë mbyllur në errësirën e ferrit. A e di vallë se çfarë do të thotë të jetosh me të ardhmen—të jetosh me pritje—të presësh qiellin? Lum ti, o besimtar, për një shpresë kaq të sigurt dhe ngushëlluese! Mbase përreth teje tani është terr pa fund, por shumë shpejt do të agojë drita; mbase tani nuk po të ndahen sprovat, por dije që shpejt do të të kaplojë lumturia. E kush pyet nëse “të qarat mund të vazhdojnë një natë”, kur “në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”?


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin