Ti je pjesa ime, o Zot.
Psalmi 119:57
Ktheji sytë nga zotërimet e tua, o besimtar, dhe krahasoje pjesën tënde me atë të miqve të tu! Disa prej tyre e kanë pjesën e tyre nëpër fusha; ata janë të kamur dhe të korrat u sigurojnë të ardhura të bollshme; por si mund të krahasohen vallë të korrat me Perëndinë tënd, i cili është Zoti i të korrave? Si mund të krahasohen vallë hambarët që gati sa nuk plasin [nga ngarkesa e madhe], me Atë që të ushqen ty me bukën e qiellit? Disa e kanë pjesën e tyre në qytet; kamja e tyre është e bollshme dhe rrjedh drejt tyre në rrëke të pandërprera, derisa kthehen në një rezervuar të vërtetë ari; por çfarë është ari përpara Perëndisë tënd? Nuk do të mund të jetoje prej tij; sepse jeta jote frymërore nuk mbahet dot prej tij. A mund t’i japë vallë ari paqe ndërgjegjes së shqetësuar? Vër ca ar mbi një zemër të trishtuar dhe shih nëse mund ta parandalojë qoftë edhe një psherëtimë të vetme, ose ta zbusë një brengë?
Por ti ke Perëndinë, dhe në Të gjen më shumë të mira sesa mund të blejë gjithë ari dhe kamja [e kësaj bote]. Disa e kanë pjesën e tyre në dy gjëra, të cilat u pëlqejnë jashtë mase njerëzve: fama dhe miratimi [i njerëzve]; por pyete veten, a nuk vlen vallë Perëndia yt shumë më tepër sesa kaq? A mendon vallë që lëvdatat e njerëzve dhe brohoritjet gjëmuese mund të të përgatitin për t’u përballur me vdekjen apo të të inkurajojnë në pritje të gjykimit? Jo! Në jetë, ka pikëllime që pasuria nuk mund t’i lehtësojë; por është edhe ajo nevoja e thellë në orën e vdekjes, të cilën nuk ka kamje që mund ta shuajë.
Mirëpo, kur Perëndia është pjesa jote, ke më shumë sesa të gjitha gjërat [e kësaj bote] të marra së bashku. Në Të plotësohet çdo nevojë, qoftë në jetë, qoftë në vdekje. Duke pasur Perëndinë si pjesën tënde, je me të vërtetë i pasur, sepse Ai do të t’i plotësojë nevojat, do të ta ngushëllojë zemrën, do të ta lehtësojë vajtimin, do të t’i udhëheqë hapat, do të ecë me ty në luginën e territ, dhe pastaj do të të shpjerë në shtëpi, ku do ta gëzosh Atë si pjesën tënde për jetë e mot.
“Kam aq sa më duhet”, tha Esau; dhe kjo është gjëja më e mirë që mund të thotë një njeri i kësaj bote, por thelbi i përgjigjes së Jakobit ishte: “Unë kam gjithçka”, duke qenë kjo një përgjigje tepër e lartë për mendjet mishërore.
© dritez.al 2024