Perëndia i tha Jonas: “A të duket e drejtë të zemërohesh kështu…?”.
Jona 4:9
Zemërimi nuk është gjithmonë apo medoemos i mëkatshëm, por ka një prirje të tillë që të dalë jashtë kontrollit sa herë që shfaqet, ja pse, pa humbur kohë, duhet ta vëmë në dyshim natyrën e tij me anë të kësaj pyetjeje: “A të duket e drejtë të zemërohesh kështu?”. Mund të ndodhë që përgjigjja jonë të jetë: “Po.” Shumë shpesh ndodh që zemërimi është si ura e zjarrit në duart e të marrit, ndërsa herë të tjera është si zjarri i Elias që bie nga qielli. Bëjmë mirë kur zemërohemi me mëkatin, për shkak të dëmit që ky i shkakton Perëndisë tonë të mirë e të hirshëm; ose me vetveten, ngaqë jemi ende kaq të pamend me gjithë mësimet e çmuara hyjnore që kemi marrë; ose me të tjerët, kur i vetmi shkak zemërimi është ligësia e veprave të tyre. Ai që nuk zemërohet me shkeljet, bëhet pjesë e tyre. Mëkati është një gjë e neveritshme dhe e urryeshme, dhe nuk ekziston zemër e rilindur që mund ta durojë atë pa bërë zë. Nuk ka ditë që vetë Perëndia të mos jetë i zemëruar me të ligjtë dhe në Fjalën e Tij shkruhet: “Ju që doni ZOTIN urreni të keqen” (Psalmi 97:10).
Mirëpo, në më të shumtën e rasteve, ne duhet t’i druhemi zemërimit tonë, sepse ai nuk është as i lavdërueshëm dhe as i përligjur, dhe, në një rast të tillë, përgjigjja jonë duhet të jetë: “Jo.” E përse vallë duhet të jemi të vrazhdë me fëmijët, të rrëmbyer me shërbëtorët dhe zemërakë me shokët tanë? A e nderon vallë një zemërim i tillë besimin tonë të krishterë, ose a e përlëvdon vallë ai Perëndinë? Vallë, a nuk po përpiqet zemra e vjetër dhe e ligë të na vërë sërish nën zgjedhën e saj, dhe a nuk duhet t’i kundërvihemi asaj me gjithë forcën e natyrës sonë të rilindur?
Shumë besimtarë dorëzohen përpara zemërimit, duke menduar se nuk ia vlen barra qiranë t’i rezistosh atij; por besimtari duhet t’i kujtojë vetes se duhet të jetë fitimtar në të gjitha drejtimet, ose, përndryshe, nuk e meriton kurorën. Në qoftë se nuk e kontrollojmë dot karakterin tonë zemërak, ku mbeti vallë vepra e hirit në ne? Dikush i tha njëherë z. Jay se hiri shpesh shartohej mbi një mollçinë. “Po”, iu përgjigj ai, “por fryti nuk do të jetë mollçinë.”
Ne nuk duhet t’i konsiderojmë dobësitë tona natyrore si një justifikim për mëkatin, por duhet ta mbajmë frymën pa vonuar drejt e te kryqi dhe t’i lutemi Zotit që ta kryqëzojë karakterin tonë zemërak dhe të na ripërtërijë në frymë dashamirësie dhe zemërbutësie sipas shëmbëllimit të Tij.
© dritez.al 2024