spurgeon dev 13 korrik pm
July 2023

Ditën që do të të thërras ty, armiqtë e mi do të kthejnë krahët. Këtë e di, sepse Perëndia është për mua.

Psalmi 56:9

Është e pamundur për gjuhën njerëzore që të shprehë domethënien e plotë të frazës së mrekullueshme: “Perëndia është për mua.” Ai ishte për ne përpara se të krijohej gjithësia. Ai ishte për ne, ose përndryshe nuk do ta kishte dhënë Birin e Vet shumë të dashur; Ai ishte për ne kur e goditi të Vetëmlindurin dhe vendosi mbi Të gjithë peshën e zemërimit të Tij—Ai ishte për ne, edhe pse ishte kundër Tij. Ai ishte “për ne” kur u fundosëm për shkak të Rënies—Ai na deshi përkundër saj. Ai ishte për ne kur u rebeluam me kryeneçësi kundër Tij duke e sfiduar. Megjithatë, Ai ishte për ne, ose përndryshe nuk do të na kishte bërë ta kërkonim me përulje fytyrën e Tij. Ai ka qenë “për ne” në shumë beteja; ne jemi thirrur të ndeshemi me një mori rreziqesh; ne jemi sulmuar nga tundime të brendshme e të jashtme—si mund të kishim mbetur të paprekur deri më sot po qe se Ai nuk do të kishte qenë për ne?

Ai është për ne me gjithë pafundësinë e qenies së Vet, me tërë plotfuqishmërinë e dashurisë së Tij, me mbarë pagabueshmërinë e urtësisë së Tij. I veshur me të gjitha atributet e Tij hyjnore, Ai është për ne—përjetësisht dhe pandryshueshmërisht për ne. Do të jetë për ne kur qiejt të mbështillen si një rrobë e vjetruar; do të jetë për ne për gjithë përjetësinë. Dhe për shkak se Ai është për ne, tingulli i lutjes do të sigurojë gjithnjë ndihmën e Tij. “Ditën që do të të thërras ty, armiqtë e mi do të kthejnë krahët.” Nuk bëhet fjalë për një shpresë të pasigurt, por për një siguri të palëkundshme: “Këtë e di.”

Do të ta drejtoj Ty lutjen time dhe do t’i ngre sytë drejt Teje për përgjigje, duke qenë i sigurt se do të vijë dhe se armiqtë e mi do të mposhten, “sepse Perëndia është për mua.” O besimtar, lum si ti që e ke Mbretin e mbretërve në anën tënde! Sa i sigurt që je me një Mbrojtës të tillë! Sa e sigurt është çështja jote kur paraqitet nga një Avokat i tillë! Në qoftë se Perëndia është për ty, kush mund të jetë kundër teje?


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin