January 2023

Jozafati bëri që të ndërtohen anije në Tarshish për të vajtur në Ofir, që të kërkohej ar, por anijet nuk arritën kurrë të dalin në det, sepse u shkatërruan në Etsion-Geber. 

1 i Mbretërve 22:48 

Anijet e Salomonit ishin kthyer pa pësuar asnjë dëm, por gjemitë e Jozafatit as që iu afruan dot tokës së arit. Provania hyjnore bën që njëri të begatohet e që dëshirat e dikujt tjetër të mos realizohen, në të njëjtin biznes dhe në të njëjtin vend; e megjithatë, Sundimtari i Madh është po aq i mirë e i urtë me të parin sa është edhe me të dytin. Paçim hir sot që në përkujtim të këtij vargu ta bekojmë Zotin si për anijet që u shkatërruan në Etsion-Geber, ashtu edhe për ato të mbushura me mallra e të mira! Mos i paçim zili më të suksesshmit dhe mos u ankofshim për humbjet tona, a thua se vetëm ne jemi sprovuar apo se ne jemi më të sprovuarit nga të gjithë! Ashtu si Jozafati edhe ne mund të jemi të çmuar në sytë e Zotit, megjithëse planet tona dështojnë. 

Shkaku i fshehtë i humbjes së Jozafatit ia vlen vërtet të vihet re, sepse është rrënja e shumë vuajtjeve të popullit të Zotit; në këtë rast është aleanca e tij me një familje të zhytur në mëkat, pra, marrëdhënia e tij me mëkatarët. Te 2 i Kronikave 20:37 na thuhet se Zoti dërgoi një profet për të shpallur: “Meqë je bashkuar me Ashaziahun, ZOTI ka shkatërruar veprat e tua.” Ky është një ndëshkim atëror, që duket se ishte bekim për të, sepse në vargun që pason vargun e mëngjesit e shohim teksa refuzon që t’i lejojë shërbëtorët e tij, që të lundrojnë në të njëjtat anije me ata të mbretit të paudhë. 

Ah, sikur përvoja e Jozafatit të jetë një paralajmërim për pjesën tjetër të popullit të Zotit, që të mos hyjnë në një zgjedhë bashkë me jobesimtarët! Një jetë mjerimi është zakonisht fati që i pret ata që bashkohen me njerëz të botës, në martesë ose në ndonjë lidhje tjetër ashtu siç iu duket e udhës. Oh, për hir të dashurisë së Jezusit, qofshim edhe ne të shenjtë, të pastër, të panjollë dhe të ndarë nga mëkatarët, ashtu si edhe Krishti! Nëse nuk jemi të tillë, mund të na ndodhë edhe neve që shpesh të dëgjojmë të na thuhet: “ZOTI ka shkatërruar veprat e tua.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>