January 2023

“Nxori në sipërfaqe hekurin.”

2 i Mbretërve 6:6

Hekuri i sëpatës dukej se kishte humbur për të mos u gjetur më, dhe duke qenë se ishte marrë hua, po vihej në rrezik nderi i çetës së profetëve e bashkë me të po komprometohej emri i Perëndisë të cilit i shërbenin. Përkundër të gjitha pritshmërive, hekuri i sëpatës doli nga thellësitë e lumit dhe nisi të pluskonte, sepse gjërat e pamundura për njeriun janë të mundshme për Perëndinë. 

Njihja një burrë në Krishtin, i cili pak vite më parë u thirr që të ndërmerrte një vepër që e kapërcente tej mase fuqinë e tij. Një vepër në dukje kaq e vështirë për t’u realizuar, saqë edhe përpjekja më e vogël për ta jetësuar atë dukej kryekëput një absurditet. E megjithatë, ky person ishte thirrur për këtë vepër dhe besimi i tij u ngrit në lartësinë e detyrës. 

Perëndia e nderoi besimin e tij, duke i dërguar ndihmë të cilën nuk e priste, dhe hekuri vërtet doli në sipërfaqe. Një tjetër pjesëtar i familjes së Zotit gjendej në një situatë mjaft të keqe financiare. Ai do të kishte qenë në gjendje t’i shlyente të gjitha detyrimet, dhe madje të bënte edhe më tepër se kaq, nëse do të mund të kishte shitur një pjesë të pasurisë së tij, por e kaploi një hall i papritur. 

Më kot kërkoi ndihmën e miqve, sidoqoftë besimi e drejtoi te Ndihmuesi që nuk të lë asnjëherë në baltë, dhe ja, telashi u shmang, hapat e tij u bënë gjithnjë e më të fortë dhe hekuri pluskoi. 

Një personi të tretë iu desh të përballej me një rast të rëndë rënieje në mëkat. Kishte mësuar, qortuar, paralajmëruar, nxitur, madje edhe ishte lutur, por të gjitha këto pa sukses. 

Adami i vjetër ishte shumë i fortë për Melanchthon-in* e ri, dhe shpirti rebel nuk dorëzohej. Vijuan lutjet dhe përgjërimet, dhe nuk kaloi shumë kohë përpara se të vinte një përgjigje e bekuar nga qielli. Zemra e ngurtë u bë prej mishi, pra, edhe kësaj radhe hekuri pluskoi. 

Lexues i dashur, cila është situata jote e pashpresë? Me çfarë halli të madh po përballesh sonte? Çoje te Zoti! Perëndia i profetëve është i gjallë dhe jeton për t’u ardhur në ndihmë shenjtorëve të Tij. Ai nuk do të lejojë që të të mungojë ndonjë e mirë. Ki besim në Zotin e ushtrive! Afroju Atij duke iu përgjëruar në emrin e Jezusit dhe hekuri do të pluskojë. Madje edhe ti do ta shohësh dorën e Perëndisë teksa bën mrekulli për popullin e Tij. U bëftë sipas besimit tënd, dhe sërish, hekuri do të pluskojë edhe për ty!

*Shënim i përkthyesit: Filip Melanktoni (Philip Melanchthon, 1497–1560) ishte bashkëpunëtori kryesor i Martin Luterit gjatë viteve të para të Reformës Protestante dhe më pas.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>