spurgeon dev 13 gusht am
August 2023

…cedrat e Libanit që ai ka mbjellë.

Psalmi 104:16

Cedrat e Libanit janë një simbol i të krishterit, sepse mbjellja e tyre i atribuohet tërësisht veprës së Zotit. Kjo është një gjë shumë e vërtetë për çdo fëmijë të Perëndisë. Ai nuk është mbjellë as nga njeriu dhe as nga vetja, por nga Perëndia. Dora e mistershme e Frymës hyjnore hodhi farën e gjallë në një zemër, të cilën po Ai vetë e kishte përgatitur për ta marrë këtë farë. Çdo trashëgimtar i vërtetë i qiellit e di se është Perëndia Ai që e ka mbjellë.

Veç kësaj, cedrat e Libanit nuk varen nga dora e njeriut për ujitjen e tyre; ata qëndrojnë mbi shkëmbinj të lartë, të pavaditur nga dora njerëzore, e megjithatë, Ati ynë qiellor i ujit ata. Kështu ndodh edhe me të krishterin që ka mësuar të jetojë përmes besimit. Ai është i pavarur nga njeriu, madje edhe nga gjërat e kësaj bote; sepse për mbajtjen e tij të vazhdueshme me mjete jetese i drejtohet Zotit Perëndisë së vet dhe vetëm Atij. Vesa e qiellit është pjesa e tij dhe Perëndia i qiellit është burimi i tij.

Po ashtu, cedrat e Libanit nuk mbrohen nga ndonjë fuqi vdekatare. Ata nuk i janë aspak borxhlinj njeriut për mbrojtjen e tyre nga murrlani dhe stuhia. Cedrat janë pemët e Perëndisë, ruhen dhe mbahen të forta prej Tij, dhe vetëm prej Tij. Pikërisht kështu është edhe me të krishterin. Ai nuk është një bimë sere, e mbrojtur nga tundimet; ai qëndron mes furisë së forcave të natyrës; nuk ka as strehë, as mbrojtje tjetër, përveç krahëve të mëdhenj të Perëndisë të përjetshëm, që i mbulojnë përherë cedrat e mbjellë prej vetë Atij. Porsi cedrat, besimtarët janë plot e përplot me limfë, duke pasur kaq shumë vitalitet për të qëndruar të blertë gjatë gjithë kohës, madje edhe mes borërave të dimrit.

Së fundi, lulëzimi dhe pamja madhështore e cedrave është vetëm për lëvdim të Perëndisë. Zoti, dhe vetëm Zoti, ka qenë gjithçka për këta cedra, ja pse Davidi shprehet ëmbëlsisht në një nga psalmet e tij: “Lëvdojeni ZOTIN … mbarë dru frutorë dhe cedra” (Psalmi 148:7-9). Te besimtari nuk ka asgjë që mund të shërbejë për madhërimin e njeriut; ai është mbjellë, ushqyer dhe mbrojtur nga dora e vetë Zotit, dhe prandaj, vetëm Atij i qoftë lavdia në jetë të jetëve!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>