spurgeon dev 13 gusht pm
August 2023

“Unë do të kujtohem për besëlidhjen time.”

Zanafilla 9:15

Vini re formën e këtij premtimi. Perëndia nuk thotë: “Dhe kur ta shihni harkun dhe të kujtoheni për besëlidhjen time, atëherë nuk do ta shkatërroj tokën”, por në vend të tyre, përdor fjalë të lavdishme, të cilat nuk janë gdhendur në kujtesën tonë që është e dobët dhe e brishtë, por në kujtesën e Perëndisë, e cila është e pafund dhe e pandryshueshme. “...do të ndodhë që harku të shfaqet në re; dhe unë do të kujtohem për besëlidhjen time...” Themeli i sigurisë sime nuk është fakti që unë kujtohem për Perëndinë, por që Perëndia kujtohet për mua; nuk është fakti që unë kapem pas besëlidhjes së Tij, por që besëlidhja e Tij më mban fort. Lëvduar qoftë Perëndia!

Kështjellat e shpëtimit janë të siguruara nga fuqia hyjnore. Madje edhe kullat më të vockla, për të cilat ne mund të mendojmë se i janë lënë njeriut për t’i mbikëqyrur, ruhen nga fuqia e gjithëpushtetshme. Madje edhe përkujtimi i besëlidhjes nuk i lihet kujtesës sonë, sepse ne mund të harrojmë, por Zotit tonë, i cili nuk mund t’i harrojë emrat e atyre që i ka gdhendur në pëllëmbët e duarve të Tij. Ne jemi në të njëjtën situatë sikurse Izraeli [natën përpara se të dilte nga Egjipti]; gjaku ishte mbi arkitraun dhe të dyja shtalkat e dyerve, por Zoti nuk tha: “Kur ju të shihni gjakun, do të kaloj tutje”, por tha: “Kur unë të shoh gjakun, do të kaloj tutje.”

Kur vështroj drejt Jezusit, unë mbushem me gëzim dhe paqe; por kur Perëndia vështron Jezusin, kjo është ajo që e garanton shpëtimin tim dhe atë të të gjithë të zgjedhurve të Tij, duke qenë se është e pamundur që Perëndia ynë ta vështrojë Krishtin, Dorëzanin tonë të gjakosur, dhe pastaj të mbetet i zemëruar me ne për mëkatet tona, të cilat tashmë i ka dënuar në Të. Jo, madje nuk na është lënë neve as të shpëtohemi duke kujtuar besëlidhjen. Në këtë pëlhurë nuk ka as edhe një fije të vetme të përpjekjes njerëzore. Nuk është as prej njeriut, as përmes njeriut, por vetëm prej Zotit. Duhet ta kujtojmë besëlidhjen dhe do ta bëjmë këtë përmes hirit hyjnor; por mentesha e sigurisë sonë nuk gjendet në faktin se kujtohemi për Të, por në faktin që Perëndia kujtohet për ne; dhe ja pse besëlidhja është një besëlidhje e përjetshme.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>