spurgeon dev 13 dhjetor am
December 2023

…kripë në sasi të pakufizuar.

Ezdra 7:22

Kripa përdorej në çdo flijim që i paraqitej Zotit me anë të zjarrit, dhe për vetë cilësitë e saj ruajtëse dhe pastruese, ajo përbënte simbolin mirënjohës të veprës së hirit hyjnor në shpirtin njerëzor. Vlen ta vëmë re me shumë kujdes se, kur Artaksersi i dhuroi kripë priftit Ezdra, ai nuk caktoi asnjë kufi për sasinë e saj, prandaj, edhe ne duhet të jemi mjaft të sigurt që, kur Mbreti i mbretërve shpërndan hir mes priftërinjve të Tij mbretërorë, Ai nuk e kufizon sasinë që jep. 

Shpesh i kemi me pakicë nozullimet në veten tonë, por kjo nuk ndodh kurrë në Zotin. Ai që vendos të mbledhë mana me shumicë, do të zbulojë se mund të mbledhë aq sa i do zemra. Në Jerusalem nuk ka zi buke që t’i bëjë banorët ta hanë bukën me peshë dhe ta pinë ujin me racion. 

Disa gjëra në ekonominë e hirit na jepen me racion; për shembull, uthulla dhe pelini na jepen me një saktësi të tillë, saqë asnjëherë nuk kemi qoftë edhe një pikë të tepërt; por kripa e hirit jepet pa asnjë kufizim: “Kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet” (Gjoni 15:7). 

Prindërit duhet ta kyçin bufenë e frutave dhe kavanozat e karameleve, por nuk kanë nevojë ta mbajnë kutinë e kripës me dryn dhe kyç, sepse të paktë janë fëmijët që digjen nga dëshira për të ngrënë kripë. 

Një njeri mund të ketë shumë para ose shumë nder, por asnjëherë nuk mund të ketë shumë hir. Kur Jeshuruni zuri të dhjamoset, e braktisi Perëndinë, mirëpo nuk kemi pse t’i druhemi tejngopjes së njeriut me hir: mbushullia e hirit është e pamundur për t’u arritur. Kur shtohet kamja, shtohen edhe shqetësimet, por kur shtohet hiri, shtohet edhe gëzimi. Aty ku shtohet urtësia, shtohet edhe brenga, por bollëku i Frymës është mbushulli gëzimi. 

Besimtar, shko te froni për një nozullim të madh kripe qiellore! Ajo do t’i lezetojë pikëllimet e tua, të cilat nuk kanë shije pa të; do ta ruajë zemrën tënde, e cila prishet në mungesë të kripës; por edhe do t’i vrasë mëkatet e tua, siç i vret kripa zvarranikët. Të nevojitet shumë; kërko shumë dhe do të marrësh shumë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin