spurgeon dev 13 dhjetor pm
December 2023

“Më bëj me fëmijë, përndryshe unë do të vdes.”

Zanafilla 30:1

Përgjërimi i Rakelës për fëmijë biologjikë duhet që të tejkalohet fort nga dëshira e zjarrtë e besimtarit për fëmijë frymërorë. Qëllimi ynë madhor është që të jetojmë për ta përlëvduar Perëndinë, dhe këtë gjë e arrijmë kryesisht duke fituar shpirtra njerëzish. Ne duhet të shohim shpirtra që lindin sërish për Perëndinë. Nëse nuk fitojmë shpirtra, duhet të vajtojmë njëlloj si bujku që nuk sheh të korra, njëlloj si peshkatari që kthehet në kasollen e tij me rrjetën bosh, ose si gjahtari që është endur më kot mbi kodra e lugina. Gjuha që duhet të përdorim, duhet të jetë ajo e Isaias, e cila u shqiptua me shumë psherëtima dhe rënkime—“...kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu zbulua krahu i Zotit” (Gjoni 12:38). Duke qenë se jemi ambasadorë të paqes, nuk duhet të pushojmë kurrë së vajtuari me hidhërim, derisa mëkatarët të vajtojnë për mëkatet e tyre. Nëse dëshirojmë ethshëm t’i shohim të tjerët që të besojnë në Zotin Jezus, duhet që të veprojmë në përputhje me parimin dhe modelin e Shkrimit. Duhet që të varemi plotësisht në Frymën e Perëndisë. A nuk dështojmë vallë në shumë nga përpjekjet tona pasi praktikisht, edhe pse jo në doktrinë, e shpërfillim Frymën e Shenjtë? Vendi i Tij si Perëndi është që të jetë mbi fronin e jetës sonë, dhe në të gjitha nismat tona, Ai duhet të jetë fillimi, mesi dhe fundi; ne jemi instrumente në duart e Tij dhe asgjë më tepër. 

Mbi të gjitha duhet që të jemi të qartë në lidhje me doktrinën madhështore për fitimin e shpirtrave, e cila është doktrina e shlyerjes. “Sepse atë, që nuk njihte mëkat, e bëri mëkat për ne, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 e Korintasve 5:21). Kjo e vërtetë, që Krishti vdiq në vendin e mëkatarëve, i jep prehje ndërgjegjes, duke treguar se si Perëndia mund të jetë i drejtë dhe drejtësuesi i kujtdo që beson. Kjo është rrjeta e madhe e peshkatarëve të Ungjillit; peshqit tërhiqen ose shtyhen në drejtimin e duhur nga të vërteta të tjera, mirëpo, kjo e vërtetë është vetë rrjeta.

Ne duhet të shpallim dashurinë e Perëndisë në Krishtin Jezus. Gjithmonë mbaje mëshirën e Tij të bollshme të lidhur me drejtësinë e Tij të pagabueshme. Kurrë mos e lartëso një atribut në kurriz të një tjetri. Le të jetë e dukshme mëshira e pakufishme në përputhje të plotë me drejtësinë e prerë dhe me sovranitetin e pakufizuar.

Besimtar, a dëshiron ethshëm të shohësh pasardhës frymërorë? Mos lejo që dielli të perëndojë sot pa iu përgjëruar Perëndisë, që ta shfaqë forcën e Tij në këtë gjë. Përgjëroju Atij: “Më bëj me fëmijë, përndryshe unë do të vdes.”

*Shënim i redaktorit: Ky meditim zëvendëson devocionin origjinal të Spurgeon-it mbi Isaia 54:12, dhe u përshtat nga libri i tij “Lectures to my Students” (Leksione për studentët e mi), faqja 375.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin