spurgeon dev 12 am
October 2023

Do të mendoj thellë për urdhërimet e tua.

Psalmi 119:15

Ka disa raste kur vetmia është më e mirë sesa shoqëria, dhe heshtja një gjë më e mençur sesa fjala. Do të ishim të krishterë më të mirë sikur të kalonim më shumë kohë në vetmi, duke pritur në Perëndinë dhe duke mbledhur, përmes përsiatjes mbi Fjalën e Tij, fuqinë frymërore që na nevojitet për të shërbyer në mbretërinë e Tij. Duhet të mendohemi thellë rreth gjërave të Perëndisë, sepse kështu nxjerrim ushqim të vërtetë prej tyre. 

E vërteta ngjason me një vile rrushi: në qoftë se duam të nxjerrim verë prej saj, atëherë duhet ta ngjeshim; duhet ta shtypim dhe ta shtrydhim shumë herë. Këmbët e shtypësit duhet të shemben me gëzim mbi vilet e rrushit, ose përndryshe, lëngu nuk rrjedh. Po ashtu, rrushi duhet shtypur mirë e mirë, ose përndryshe, shumica e lëngut të vyer do të shkojë kot. Kështu duhet t’i shtypim edhe vilet e së vërtetës me anë të meditimit, nëse dëshirojmë të nxjerrim prej tyre verën e përdëllimit. 

Nuk mjafton marrja e ushqimit me anë të gojës për të na mbajtur gjallë, por nevojitet edhe procesi që i furnizon vërtet muskujt, nervat, tejzat dhe kockat, pra, tretja e ushqimit. Pikërisht, falë tretjes, ushqimi që vjen nga jashtë, përvetësohet nga jeta e brendshme. Shpirtrat tanë nuk ushqehen vetëm duke dëgjuar pak nga kjo e pastaj pak nga ajo, dhe më pas një pjesë tjetër të së vërtetës hyjnore. Dëgjimi, leximi, nënvizimi dhe mësimi, të gjitha këto kërkojnë tretje të brendshme, për të nxjerrë sa më shumë dobi prej tyre, dhe tretja e brendshme e së vërtetës ka të bëjë kryesisht me përsiatjen rreth saj. 

Përse ndodh vallë që, megjithëse dëgjojnë shumë predikime, disa besimtarë përparojnë ngadalë në jetën e tyre të krishterë? Kjo gjë ndodh ngaqë lënë pas dore kthinat e fshehta dhe nuk meditojnë me zell mbi Fjalën e Perëndisë. Atyre u pëlqen gruri, por nuk e bluajnë; do të donin të kishin misër, por nuk shkojnë nëpër fusha për t’i korrur kallinjtë; frutat varen mbi degë, por ata nuk i vjelin; uji u rrjedh nëpër këmbë, por nuk ulen në gjunjë për ta pirë. 

Çlirona, o Zot, nga kjo lloj marrëzie, dhe qoftë ky vendimi ynë këtë mëngjes: “Do të mendoj thellë për urdhërimet e tua”!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin