spurgeon dev 12 pm
October 2023

Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë.

Gjoni 14:26

Kjo epokë është veçanërisht hirdhënia e Frymës së Shenjtë, me të cilën Jezusi na e gëzon zemrën, jo përmes pranisë së Tij fizike, siç do të bëjë pas pak kohe, por përmes pranisë së vazhdueshme dhe të rrënjosur brenda nesh të Frymës së Shenjtë, i cili është përjetë e mot Ngushëlluesi i kishës. Është detyra e Frymës t’i ngushëllojë zemrat e popullit të Perëndisë. Ai na bind për mëkatin; na ndriçon dhe na mëson; por, megjithatë, pjesa më e madhe e punës së Tij ka të bëjë me gëzimin e zemrave të të rilindurve, me forcimin e të dobëtëve dhe me ngritjen e të gjithë atyre që janë të rënduar. Ai e bën këtë duke u zbuluar këtyre Jezusin. Fryma e Shenjtë ngushëllon, por Krishti është ngushëllimi. 

Nëse do të mund të përdornim një metaforë, Fryma e Shenjtë është Mjeku, por Jezusi është ilaçi. Ai e shëron plagën, por e bën këtë duke e lyer me pomadën e shenjtë të emrit dhe hirit të Krishtit. Ai nuk nxjerr nga gjërat e Veta, por merr nga gjërat e Krishtit. Kështu që, nëse e quajmë Frymën e Shenjtë me emrin grek Paraclete, ashtu siç bëjmë disa herë, atëherë zemra jonë e pagëzon Zotin tonë të bekuar Jezus me titullin Paraclesis. Në qoftë se i pari është Ngushëlluesi, i dyti është Ngushëllimi. 

Tani, duke pasur një sigurim kaq të bollshëm për nevojat e veta, përse vallë duhet të jetë i krishteri i trishtuar dhe i dëshpëruar? Fryma e Shenjtë është angazhuar plot hir që të jetë Ngushëlluesi yt: a të shkon nëpër mend vallë, o besimtar i dobët dhe drithërues, se Ai do ta shpërfillë këtë besim të shenjtë? A mos mendon vallë se Ai nuk mund ose nuk do ta kryejë atë që ka marrë përsipër? Duke e ditur se vepra e Tij e veçantë është forcimi dhe ngushëllimi yt, a mos mendon vallë se e ka harruar punën e Vet, apo se nuk do të arrijë ta përmbushë detyrën e shumëdashur që ka ndaj teje? Jo, mos mendo kaq keq për Frymën e bekuar dhe dashamirës, emri i të cilit është Ngushëlluesi. 

Ai e ka për kënaqësi ta derdhë vajin e gëzimit mbi vajtuesit dhe ta veshë me petkat e adhurimit frymën e rënduar. Beso në Të, dhe do të të ngushëllojë me siguri, derisa të mbyllet për fare shtëpia e vajtimit, dhe të ketë filluar gostia e dasmës [së Qengjit].


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin