spurgeon dev 12 shtator am
September 2023

Zoti është një Perëndi xheloz dhe hakmarrës.

Nahumi 1:2

Zoti është shumë xheloz për dashurinë tënde, o besimtar! Vallë, a nuk qe Ai që të zgjodhi ty? Ai nuk duron dot që ti të zgjedhësh një perëndi tjetër. Vallë, a nuk të bleu me gjakun e Vet? Ai nuk mund ta pranojë dot që ti të mendosh se i përket vetes apo se i përket kësaj bote. Ai të deshi me një dashuri të tillë, saqë nuk qëndroi në qiell pa ty; Ai do të parapëlqente më mirë të vdiste, sesa të të humbte, dhe nuk mund ta durojë dot asgjë që qëndron mes dashurisë së zemrës sate dhe Vetes.

Ai është shumë xheloz për besimin tënd. Ai nuk do të të lërë të besosh te vetja jote. Nuk ia bën dot zemra të të shohë duke hapur cisterna të prishura dhe duke lënë pas dore burimin gurgullues që është gjithnjë në dispozicionin tënd. Ai ngazëllehet kur mbështetemi tek Ai; mirëpo, kur biem në varësinë e diçkaje tjetër, kur mbështetemi në urtësinë tonë ose në urtësinë e një shoku—ose më keq akoma—kur besojmë më shumë në vetë veprat tona, Ai ndihet i fyer dhe do të na ndëshkojë, që të na sjellë prapë te Vetja.

Ai është shumë xheloz për shoqërinë tonë. Nuk duhet të bisedojmë me askënd tjetër më gjatë sesa me Jezusin. Të qëndruarit vetëm në Të, kjo është dashuria e vërtetë; ndërsa përbashkësia me botën, gjetja e kënaqësisë së mjaftueshme në të mirat tokësore, madje edhe preferenca për shoqërinë e vëllezërve dhe motrave tona të krishtera, në vend të përbashkësisë intime me Atë Vetë, kjo gjë e trishton Zotin tonë xheloz. Ai dëshiron me zjarr që ne të qëndrojmë në Të dhe të shijojmë përbashkësinë e vazhdueshme me Të. Në fakt, shumë prej sprovave që na dërgon, kanë për synim që t’i zvjerdhin zemrat tona prej krijesës dhe t’i bëjnë ato të shohin ngulazi vetëm drejt Atij që krijoi gjithçka. Qoftë kjo xhelozi që do të na mbajë afër Krishtit edhe një ngushëllim për ne, sepse në qoftë se Ai na do aq sa t’i interesojë dashuria jonë, mund të jemi të sigurt se nuk do të lejojë që asgjë të na bëjë keq dhe do të na mbrojë nga tërë armiqtë tanë. Oh, paçim hir sot që ta ruajmë dëlirësinë e shenjtë të zemrave tona vetëm për Krishtin, duke i mbyllur sytë me xhelozi të shenjtë përpara të gjitha joshjeve të botës!

© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>