spurgeon dev 12 shtator pm
September 2023

Unë do të këndoj dashamirësinë tënde dhe drejtësinë tënde.

Psalmi 101:1

Besimi ngadhënjen mbi sprovat. Kur arsyeja i ka këmbët të lidhura nën vargonj në qelitë e thella të burgut, besimi i bën muret e birucës të tingëllojnë nga notat e tij të gëzueshme tek thërret: “Unë do të këndoj dashamirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o ZOT”. Besimi arrin ta heqë maskën e zezë nga fytyra e hallit dhe zbulon engjëllin që fshihet poshtë saj. Besimi e hedh vështrimin te reja dhe sheh se 

“Ajo është e mbushur plot me mëshirë
dhe se do të derdhet si bekime mbi kokën e tij”. 

Ka një arsye për të thurur këngë madje edhe në gjykimet e Perëndisë ndaj nesh. Së pari, sepse sprova nuk është edhe aq e rëndë sa mund të kishte qenë; po ashtu, halli që na ka rënë, është më i lehtë sesa e meritonim; ndërsa vuajtja jonë nuk është edhe aq dërrmuese sa barrët që duhet të mbajnë të tjerët. Besimi është i vetëdijshëm për faktin se edhe pikëllimi i tij më i thellë nuk ka karakter ndëshkues. Në të nuk ka as edhe një pikë zemërimi të Perëndisë; ai është dërguar plotësisht për shkak të dashurisë. Besimi e dallon dashurinë tek shkëlqen si një xhevahir në kraharorin e një Perëndie të zemëruar. Besimi e mban dhimbjen e vet “si një shenjë dalluese nderimi”, dhe ia merr këngës rreth rezultateve të bekuara që sjellin dhimbjet e tij, sepse ato bashkëveprojnë për të mirën e tij frymërore. Besimi thotë: “Sepse shtrëngimi ynë i lehtë i tashëm, prodhon në ne, një peshë të përjetshme të pamasë e të pashoqe të lavdisë” (2 e Korintasvve 4:17). Kështu, besimi kalëron duke ngadhënjyer, duke shtypur me këmbë urtësinë tokësore dhe njohurinë e mishit, dhe duke kënduar këngë triumfi aty ku vlon beteja.

Gjithçka që takoj, kuptoj që më ndihmon
Në udhën time drejt gëzimit qiellor:
Ku, megjithëse të tjera sprova më presin,
Nuk kanë ç’më bëjnë e më nuk më mërzisin. 

Atje i bekuar me një peshë lavdie,
Udhën prapë s’do ta harroj,
Por mes haresë e klithmës më shpuri,
Te froni i Shpëtimtarit tim të bekuar të qëndroj.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>