February 2023

Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, me anë të Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë.

2 e Korintasve 1:5

Ekziston një baraspeshë e përsosur në këtë gjë. Perëndia, në provaninë e Tij, i peshon gjërat; në njërën anë të peshores, Ai vendos sprovat përmes së cilave kalojnë njerëzit e Tij dhe nga ana tjetër, ngushëllimet e tyre. Kur pjata e sprovave është pothuaj bosh, ti gjithmonë do të zbulosh që edhe pjata e ngushëllimeve është pothuajse në atë gjendje; ndërsa kur pjata e sprovave është plot, edhe pjata e ngushëllimeve do të rëndojë barabar me të. Drita na shfaqet edhe më shndritshëm pikërisht atëherë kur mblidhen retë e zeza. Po ashtu, sa herë që bie nata dhe po afrohet stuhia, Kapiteni Qiellor i qëndron gjithmonë më pranë ekuipazhit të Tij. 

Çfarë bekimi është që, atëherë kur prekim fundin, ngushëllimet e Frymës na ngrenë lart e më lart! Një nga arsyet është se sprovat krijojnë më shumë hapësirë për ngushëllimin. Zemrat e mëdha janë fryti i vuajtjeve të mëdha. Beli i vuajtjes gërmon thellë e më thellë në rezervuarin e rehatisë dhe bën më shumë vend për ngushëllimin. Perëndia vjen në zemrën tonë dhe, duke e gjetur të mbushur plot, nis të shkatërrojë ato gjëra ku ne gjejmë ngushëllim, dhe ta zbrazë atë prej tyre; kështu ka më shumë vend për hirin. Sa më shumë që të përulet një njeri, aq më tepër ngushëllim do të ketë përherë, sepse kështu është më i mirëpërgatitur për ta marrë atë. 

Një arsye tjetër pse kohët plot andralla janë më të lumturat për ne, është se atëherë kemi marrëdhënien më intime me Perëndinë. Njeriu mund të jetojë pa Perëndinë kur e ka hambarin plot. Ne nisim e i bëjmë bisht lutjes atëherë kur kuleta jonë sa nuk shpërthen nga paratë e shumta. Mirëpo, kur na hiqet strehorja, atëherë rendim drejt e tek Zoti ynë; kur shtëpia pastrohet nga idhujt, atëherë detyrohemi të nderojmë Zotin. “Nga vende të thella unë të këlthas ty, o ZOT.” (Psalmi 130:1)

Nuk ka lutje më të mirë, sesa ajo që vjen nga poshtë maleve, nuk ka lutje më të përnjëmendtë, sesa ajo që del nga thellësitë e shpirtit gjatë sprovave dhe vuajtjeve të thella. Në fakt, ato na afrojnë me Perëndinë, dhe kështu ne ndihemi më të lumtur; sepse afërsia me Perëndinë është vetë lumturia. Eja, o besimtar zemërtrazuar, dhe mos u shqetëso për hallet e tua të mëdha, sepse ato nuk janë veç lajmëtaret e mëshirave edhe më të mëdha, që janë në të ardhur!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin