“Ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju.”
Gjoni 14:16
Perëndia Atë iu zbulua besimtarëve në Dhiatën e Vjetër përpara ardhjes së Birit të Tij, dhe nga Abrahami, Isaku dhe Jakobi njihej si Perëndia i Plotfuqishëm. Më pas erdhi Jezusi, dhe Biri i shumëbekuar, vetë si person, ishte ëndja e syve të popullit të Tij. Pas ngjitjes në qiell të Shpenguesit, Fryma e Shenjtë u bë kreu i epokës së tanishme dhe fuqia e Tij e lavdishme u dëshmua gjatë dhe pas Rrëshajave. Ai vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë Emanueli i tanishëm—Perëndia me ne, duke banuar në dhe me njerëzit e Tij, duke i rigjallëruar dhe drejtuar ata, si edhe duke sunduar në jetën tona.
A njihet prania e Tij ashtu siç duhet? Ne nuk mund t’ia kontrollojmë dot veprën; Ai është sovran në gjithë veprimet e Tij. Mirëpo, a jemi aq sa duhet të etshëm për ta fituar ndihmën e Tij, ose aq sa duhet syçelë, për të mos e trishtuar Atë, saqë Ai ta tërheqë ndihmën e Tij? Pa Të nuk mund të bëjmë asgjë, por në sajë të energjisë së Tij të plotfuqishme mund të arrijmë rezultatet më të jashtëzakonshme: gjithçka varet nga shfaqja ose fshehja e fuqisë së Tij.
A i mbajmë gjithmonë sytë tek Ai, qoftë për jetën tonë të brendshme, ashtu dhe për shërbimin tonë të jashtëm, me varësinë plot respekt që i shkon për shtat personit të Tij? A nuk ndodh shumë shpesh që të ngutemi përpara se Ai të na ketë thirrur dhe të veprojmë në mënyrë të pavarur nga ndihma e Tij?
Le ta përulim veten sonte për pakujdesitë e kaluara dhe le t’i përgjërohemi vesës hyjnore të qëndrojë mbi ne, vajit të shenjtë të na vajosë dhe flakës qiellore të digjet brenda nesh. Fryma e Shenjtë nuk është një dhuratë e përkohshme—Ai qëndron me kishën. Kur e kërkojmë Atë ashtu siç duhet, ne do ta gjejmë. Ai është xheloz, por Ai është plot dhembshuri; nëse largohet me zemërim, do të kthehet me mëshirë. Duke qenë begenisës dhe zemërbutë, Ai nuk lodhet me ne, por na e shfaq vazhdimisht hirin e Tij.
Mëkati zemrën time ka rrahur,
E ka ngurtësuar, dashurinë ka zhveshur,
Punoftë edhe hiri dhe rëntë nga lart
Mbi zemrën time
© dritez.al 2024