“Ti u peshove në peshore dhe u gjet që të mungonte diçka.”
Danieli 5:27
Bëjmë mirë që ta peshojmë rregullisht veten në peshoren e Fjalës së Perëndisë. Do të zbulosh se leximi i psalmeve të Davidit është një ushtrim i shenjtë, dhe teksa mediton varg më varg, ta pyesësh veten: “A mund ta them edhe unë këtë? A jam ndier edhe unë si Davidi? A më është thyer edhe mua ndonjëherë zemra për shkak të mëkatit, ashtu si e tija kur shkruante psalmet e pendimit? A ishte mbushur shpirti im me besim të mirëfilltë në orën e vështirësisë, ashtu siç ishte shpirti i tij kur u këndoi mëshirave të Perëndisë në shpellën e Adulamit, ose në fortesat e En-Gedit? A e ngre unë kupën e shpëtimit dhe a e thërras emrin e Zotit?”.
Pastaj ktheju jetës së Krishtit dhe teksa lexon, pyete veten se deri në ç’shkallë je bërë i ngjashëm me shëmbëllimin e Tij. Përpiqu të zbulosh nëse e ke zemërbutësinë, përulësinë dhe frymën e dashurisë, të cilat Ai i nxiti dhe i shfaqi vazhdimisht. Merr pastaj e lexo letrat [e Palit], dhe shih nëse përvojat e jetës sate janë të ngjashme me ato që përshkruan apostulli. A ke klithur ndonjëherë siç bëri ai: “Oh, i mjeri njeri që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?”. A e ke ndier ndonjëherë vetëposhtërimin e tij? A të është dukur ndonjëherë vetja si i pari i mëkatarëve dhe si më i vogli nga të gjithë shenjtorët? A e ke përjetuar edhe ti vetë përkushtimin e Tij? A mund t’i bashkohesh edhe ti atij dhe të thuash: “Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim”?
Nëse, në këtë mënyrë, e lexojmë Fjalën e Perëndisë si një test të gjendjes sonë frymërore, do të kemi shpesh arsye të mira për t’u ndalur dhe për të thënë: “Zot, unë ndihem sikur nuk i kam përjetuar ende këto gjëra! O të lutem, më bëj t’i përjetoj ato! Më jep pendimin e vërtetë për të cilin po lexoj. Më jep besim të vërtetë; më jep zell të zjarrtë; ma ndiz më shumë flakën e dashurisë në zemër; më fal hirin e zemërbutësisë; më bëj më të ngjashëm me Jezusin! Mos më lër që ‘të gjendem se më mungon diçka’ kur peshohem në peshoret e Biblës, në rast se gjendem se më mungon diçka edhe në peshoret e gjykimit!”. “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.”
© dritez.al 2024