spurgeon dev 12 qershor pm
Qershor 2023

Që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë.

2 e Timoteut 1:9

Apostulli përdor këtu kohën e shkuar dhe thotë: “që na shpëtoi”. Besimtarët në Krishtin Jezus janë të shpëtuar. Ata nuk konsiderohen si persona të cilëve u është dhënë një shpresë e madhe dhe mbase, në fund, do t’u jepet mundësia për t’u shpëtuar, por ata janë shpëtuar tashmë. Shpëtimi nuk është një bekim që duhet të shijohet në shtratin e vdekjes dhe të cilit i duhen kënduar këngë kur të ngjitemi atje lart, por diçka për t’u arritur, marrë, premtuar dhe shijuar që në këtë çast.

Në qëllimin e Perëndisë, i krishteri është plotësisht i shpëtuar; Perëndia e ka caktuar atë për shpëtim, dhe ky qëllim është realizuar plotësisht. Ai është shpëtuar edhe për sa i përket çmimit që është paguar për të: “U krye” u dëgjua të bërtiste Shpëtimtari ynë përpara se të vdiste. Besimtari është gjithashtu plotësisht i shpëtuar në Kreun e besëlidhjes së tij, sepse ashtu siç ra në mëkat në Adamin, kështu jeton tani në Krishtin.

Ky shpëtim i plotë shoqërohet nga një thirrje e shenjtë. Ata të cilët Shpëtimtari i shpëtoi mbi kryq, në kohën e duhur, thirren efektivisht në shenjtëri me anë të fuqisë së Perëndisë Frymë e Shenjtë. Ata i lënë pas mëkatet e tyre; përpiqen të bëhen si Krishti; zgjedhin shenjtërinë, jo për shkak të detyrimit, por falë forcës së natyrës së re, e cila i shtyn të gëzohen në shenjtëri po aq natyrshëm sa atëherë kur gjenin kënaqësi në mëkat. Perëndia as nuk i zgjodhi dhe as nuk i thirri për shkak se ishin të shenjtë, por i thirri që të mund të bëheshin të shenjtë, duke qenë se shenjtëria është bukuria që krijohet falë veprës së Tij në ta.

Hiret që shohim në një besimtar, janë po aq vepër e Perëndisë sa edhe vetë shlyerja e mëkateve. Kështu del në pah shumë mrekullisht plotësia e hirit të Perëndisë. Shpëtimi duhet të jetë vepër e hirit, sepse Zoti është autori i tij. Dhe ç’arsye tjetër përveç hirit mund ta shtyjë Atë që t’i shpëtojë fajtorët? Shpëtimi duhet të jetë vepër e hirit, sepse Zoti vepron në një mënyrë të tillë që drejtësia jonë del përfundimisht jashtë loje. Ky është privilegji i besimtarit—një shpëtim i tanishëm; kjo është dëshmia që ai është thirrur në të—një jetë e shenjtë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin