Prill 2023

Zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.

Psalmi 22:14

Zoti ynë i bekuar përjetoi një fundosje dhe shkrirje të tmerrshme të shpirtit. “Fryma e njeriut mban sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrejë një frymë të dërrmuar?” (Fjalët e Urta 18:14). Depresioni i thellë frymëror është më e dhimbshmja nga të gjitha sprovat; asgjë nuk mund të krahasohet me të. Nuk është habi që Shpëtimtari i përvuajtur i thërret Perëndisë së Tij: “Mos u largo nga unë”, sepse njeriu ka nevojë për Perëndinë e Tij më së shumti në ato kohë kur zemra shkrihet brenda tij, për shkak të peshës që rëndon mbi të.

Besimtar, afroju kryqit këtë mëngjes dhe adhuroje përulësisht Mbretin e lavdisë si dikush që u përul shumë, madje më shumë se gjithsecili prej nesh, duke vuajtur një gjendje të rënduar mendore dhe ankthi të brendshëm! Konsideroje Atë një Kryeprift besnik, i cili mund të bashkëvuajë me dobësitë tona! Veçanërisht ne që vuajmë nga trishtimi që rrjedh drejtpërdrejt nga largimi i ndjesisë së tanishme të dashurisë së Atit tonë, le të kemi një përbashkësi më të ngushtë dhe më intime me Jezusin! Le të mos dorëzohemi përpara dëshpërimit; Mësuesi ynë ka kaluar tashmë përmes kësaj udhe të errët.

Ndodh që shpirtrat tanë të treten nga dëshira, të ligështohen dhe të jenë të etshëm deri në ankth, për të parë dritën e fytyrës së Zotit; në çaste të tilla le ta qetësojmë veten, duke u përqendruar në bashkëvuajtjen e Kryepriftit tonë të madh. Pikat e pikëllimit tonë humbasin në oqeanin e dhimbjeve të Tij; sa lart duhet të ngrihet dashuria jonë! Eja brenda meje, o dashuri e fortë dhe e thellë e Jezusit, porsi një vërshim i vrullshëm, mbuloji të gjitha fuqitë e mia; mbyti të gjitha mëkatet e mia; çoji larg të gjitha shqetësimet e mia; ngrije shpirtin tim të lidhur me këtë botë dhe më ço te këmbët e Zotit tim!

Lërmë të qëndroj atje, porsi një guaskë e thyer dhe e mjerë, e larë nga dashuria e Tij, pa asnjë meritë dhe vlerë nga vetja! Mirëpo, duke e ditur që nëse Zoti im do ta afrojë veshin e Tij tek unë, Ai do të dëgjojë jehonën e dobët të dallgëve të mëdha të dashurisë së Tij në zemrën time, të cilat më sollën atje ku ma ka ënda të qëndroj, pikërisht te këmbët e Tij përgjithnjë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin