...Pranë kopshtit të mbretit...
Nehemia 3:15
Tek e dëgjojmë Nehemian të përmendë kopshtin e mbretit, na vjen fill në mendje parajsa që krijoi Mbreti i mbretërve për Adamin. Mëkati e ka rrënuar tërësisht atë banesë të këndshme dhe i ka përzënë prej saj bijtë e njerëzve, që të punojnë tokën, e cila prodhon vetëm gjembaçë dhe ferra. Shpirti im, kujtoje Rënien, sepse ishte rënia jote! Qaj me dënesë, sepse Zoti i dashurisë u keqtrajtua kaq turpshëm nga i pari i racës njerëzore, pjesë e së cilës je edhe ti, po aq i padenjë sa edhe të tjerët! Pa shiko se si në këtë tokë të hijshme, e cila dikur ishte një kopsht kënaqësish, tashmë banojnë dragonj e demonë.
Pa hidhe vështrimin tutje drejt një kopshti tjetër të Mbretit, të cilin Ai e vadit me djersën e Tij të përgjakur—Gjetsemani, barishtet e hidhura të të cilit janë shumë më të ëmbla sesa frytet plot lëng të Edenit, për shpirtrat e rilindur. Në Gjetsemani u zhbë vepra e ligë e gjarprit, vepër e kopshtit të parë: aty, mallkimi u hoq nga toka dhe u mbart nga fara e premtuar e gruas. Shpirti im, mëso të meditosh për agoninë dhe vuajtjen e Krishtit; drejtohu për te kopshti i shtypëses së ullinjve, dhe vështroje Shpenguesin tënd të madh tek të shpëton nga gjendja jote e humbjes! Ky është kopshti i kopshteve; me të vërtetë, këtu shpirti mund të shohë fajin e mëkatit dhe fuqinë e dashurisë, dy pamje këto që ua kalojnë gjithë të tjerave.
A mos ka vallë ndonjë kopsht tjetër të Mbretit? Po, zemra ime, ti je ai kopsht, ose duhet të jesh. A po lulëzojnë lulet? A shfaqet vallë ndonjë fryt i zgjedhur? A shëtit Mbreti nëpër të dhe a çlodhet vallë në tendën e shpirtit tim? Duhet të bëj kujdes që t’i krasis dhe vadis bimët, dhe t’i dëboj dhelprat dinake nga kopshti. Eja, Zot, dhe le të fryjë era qiellore në ardhjen Tënde, me qëllim që erëzat e kopshtit Tënd ta përhapin aromën e tyre gjithandej! Nuk duhet ta harroj as kopshtin tjetër të Mbretit, që është kisha. O Zot, dërgo begati mbi të! Rindërtoji muret e saj; ushqeji bimët e saj; piqi frytet e saj dhe nga shkretëtira e pamasë, merre djerrinën dhe ktheje në një kopsht të Mbretit!
© dritez.al 2024