spurgeon dev 12 nëntor am
Nëntor 2023

Sprova e besimit tuaj.

1 e Pjetrit 1:7

Besimi i pasprovuar mund të jetë besim i vërtetë, por me siguri që është një besim i vockël, dhe ka shumë gjasa që të mbetet i tillë për sa kohë që nuk u nënshtrohet sprovave. Besimi e shënon rritjen më të madhe vetëm atëherë kur gjithçka i vihet kundër: stuhitë janë trajnerët e tij dhe vetëtimat janë ato që i ndriçojnë udhën.

Kur mbi det mbretëron bunaca, hapi sa të duash velat, por anija nuk bën asnjë centimetër përpara, drejt portit të vet; sepse edhe atë vetë e zë gjumi tek shtriqet mbi një oqean të përgjumur.

Mjafton që të vrullojnë dhe të uturijnë erërat, dhe të ngrihen ujërat, megjithëse anija mund të tundet e shkundet, kuverta e saj mund të mbulohet nga valët dhe direku i saj mund të kërcasë nën trysninë që ushtron vela e tejmbushur me ajër, vetëm atëherë ajo do të çajë përpara drejt limanit të dëshiruar.

Nuk ka lule më të bukura se ato lulet blu që rriten në këmbët e akullnajës; nuk ka yje që të shkëlqejnë më shumë, sesa ato që xixëllojnë në qiellin e mesnatës; nuk ka ujë që të ketë shije më të ëmbël, sesa ai që buron mes rërës së shkretëtirës; dhe asnjë besim që të jetë më i çmuar, sesa ai që mbijeton dhe lulëzon mes vështirësive. 

Besimi i sprovuar është pararendësi i përvojës. Nuk do t’i kishe njohur dobësitë e tua po qe se nuk do të kishe qenë i detyruar të kapërceje lumenj; dhe nuk do ta kishe njohur kurrë fuqinë e Perëndisë po qe se nuk do të të kishte mbështetur në mes të përmbytjes.

Sa më shumë që ushtrohet mes mundimeve, aq më i çmuar, më i sigurt dhe më i zjarrtë bëhet besimi ynë. Besimi është i çmuar, dhe po aq e vyer është edhe sprova e tij. 

Megjithatë, kjo nuk duhet t’i shkurajojë ata që janë të rinj në besim. Do të kaloni mjaft sprova, edhe pa i kërkuar ato, por tërësia e tyre do t’ju përcaktohet në kohën e duhur.

Ndërkaq, edhe nëse mund të mos i pretendoni rezultatet e përvojës së gjatë, falënderojeni Perëndinë për hirin që ju është falur; lavdërojeni për atë masë të besimit të shenjtë që keni marrë: ecni sipas saj dhe Perëndia do t’ju falë edhe shumë bekime të tjera, derisa besimi juaj të lëvizë malet dhe të arrijë të pamundurën.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin