spurgeon dev 12 nëntor pm
November 2023

Në ato ditë ndodhi që ai shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.

Luka 6:12

Në qoftë se ka një burrë [të lindur nga gruaja] që mund të kishte jetuar ndonjëherë edhe pa qenë i detyruar t’i kushtohej lutjes, ky ishte Zoti ynë i përsosur dhe i panjollë, por megjithatë, askush tjetër nuk kaloi më shumë kohë në lutje se Ai! Dashuria e Tij për Atin e Vet ishte kaq e fortë, saqë nuk kishte dëshirë më të madhe, sesa ta kalonte kohën me Të. Kaq e madhe ishte dashuria e Tij për të Vetët, saqë nuk kishte dëshirë më të madhe, sesa ta kalonte kohën duke ndërmjetësuar për ta.

Kemi se çfarë të mësojmë nga fakti që Jezusi i dha një rëndësi të tillë lutjes—Ai na ka dhënë një shembull, që ne të mund të ndjekim hapat e Tij. Koha e zgjedhur prej Tij për t’u lutur ishte e admirueshme—zgjodhi orët e heshtjes, kur turmat nuk e shqetësonin dot më; kohën e prehjes, kur të gjithë, përveç Tij, kishin pushuar së punuari; kohën, pra, kur gjumi i bënte njerëzit t’i harronin hallet e tyre dhe të pushonin së shkuari tek Ai për ndihmë. Ndërkohë që të tjerët gjenin prehje në gjumë, Ai ripërtërihej përmes lutjes. Vendi, po ashtu, ishte zgjedhur me mend. Gjeti një vend ku askush nuk mund ta ndërpriste, ku askush nuk e shihte dot: kështu ishte i mbrojtur nga ngacmimet e farisenjve dhe ndërprerjet e zakonshme të popullit. Ato kodra të errëta e të qeta siguronin një vend të përshtatshëm lutjeje për Birin e Perëndisë. Qielli dhe toka në qetësinë e mesnatës dëgjonin rënkimet dhe ofshamat e Qenies së mistershme në të cilën ishin shkrirë të dyja botët.

Vazhdimësia e përgjërimeve të Tij ishte e jashtëzakonshme: orët e gjata kalonin shpejt; era e ftohtë nuk e ftohu zellin e lutjeve të Tij; errësira e zymtë nuk e errësoi besimin e Tij dhe as vetmia nuk e fashiti ngulmin e Tij. Ne nuk mundemi të rezistojmë qoftë edhe një orë të vetme për t’u lutur së bashku me Të, por Ai nuk pushon kurrë së luturi për ne ditë e natë. Po ashtu, Ai zgjodhi një moment të veçantë për këtë lutje; kjo ndodhi pasi armiqtë e Tij ishin tërbuar. Lutja ishte streha dhe përdëllimi i Tij; Ai shkoi të lutej përpara se të dërgonte në mision të dymbëdhjetë apostujt. Lutja ishte vigjilja e nismave të Tij, lajmëtari i veprave të Tij të reja. A nuk duhet të mësojmë edhe ne nga Jezusi, që t’i kthehemi lutjes së veçantë sa herë që përballemi me sprova specifike apo mendojmë t’i hyjmë ndonjë nisme të re për lavdinë e Mësuesit? Zot Jezus, na mëso si të lutemi!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin