Mars 2023

“Ti kujt i përket?” 

1 i Samuelit 30:13

Jeta e besimit nuk njeh asnjanësi. Ose jemi të rreshtuar nën flamurin e Zotit Jezus, për të shërbyer dhe luftuar në betejat e Tij, ose jemi skllevër të princit të zi, Satanit. “Kujt i përket ti?”

Lexues, më lejo të të ndihmoj për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. A ke “rilindur”? Nëse po, i përket Krishtit; por pa qenë i rilindur, nuk mund të jesh i Tiji. Kujt i beson? Ta bëj këtë pyetje, sepse ata që besojnë në Jezusin, janë bijtë e Perëndisë. Kujt po i shërben? Bëj kujdes që t’i shërbesh padronit tënd, sepse ai të cilit i shërben, do të njihet edhe si zoti yt. Me kë shoqërohesh? Nëse i përket Jezusit, do të shoqërohesh me ata që mbajnë uniformën e kryqit. “Më thuaj me kë rri, të të them se cili je.” Çfarë bisedash bën? A kanë të bëjnë me gjërat e kësaj bote apo me ato të qiellit? Çfarë ke mësuar nga Mjeshtri yt? Po ta bëj këtë pyetje, sepse çirakët mësojnë shumë nga mjeshtrit te të cilët janë punësuar. Nëse ke kaluar kohë me Jezusin, do të thuhet edhe për ty ashtu siç u tha për Pjetrin dhe Gjonin: “...i njihnin se kishin qenë me Jezusin” (Veprat e Apostujve 4:13). 

Po e bëjmë përsëri pyetjen: “Kujt i përket ti?”. Përgjigjju asaj me ndershmëri përpara se të mbyllësh sytë në gjumë. Nëse nuk i përket Krishtit, atëherë je një i burgosur që vuan dënimin me punë të detyruar—Arratisu nga padroni yt mizor! Vihu në shërbim të Zotit të Dashurisë dhe do të shijosh një jetë të mbushur plot bekime!

Nëse i përket Krishtit, më lejo të të këshilloj të bësh katër gjëra. Ti i përket Jezusit, ndaj bindju Atij! Qoftë fjala e Tij ligj për ty dhe qoftë dëshira e tij detyrim për ty! Ti i përket Shumë të Dashurit, atëherë duaje Atë; lëre zemrën tënde që ta përqafojë, dhe i gjithë shpirti yt u mbushtë me Të! Ti i përket Birit të Perëndisë, atëherë ki besim tek Ai; mos u mbështet tek asgjë dhe askush tjetër përveç Tij! Ti i përket Mbretit të mbretërve, atëherë ji i palëkundur për besimin në Të! Në këtë mënyrë, edhe pa pasur ndonjë shenjë në ballë, të gjithë do ta dinë se kujt i përket.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin