“Dhe unë do ta dua dhe do t’i shfaqem atij.”
Gjoni 14:21
Zoti Jezus i dëftehet në një mënyrë të veçantë popullit të Tij. Edhe nëse Shkrimi nuk do ta deklaronte këtë gjë, shumë nga fëmijët e Perëndisë mund të dëshmojnë për këtë të vërtetë nga vetë përvoja e tyre. Zoti dhe Shpëtimtari i tyre Jezu Krisht u është shfaqur shumë prej tyre në një mënyrë speciale, aq speciale sa nuk është e mundur thjesht përmes leximit ose dëgjimit.
Në jetëshkrimet e shenjtorëve të shquar do të gjeni plot raste të regjistruara, në të cilat Zoti Jezus ka pasur kënaqësinë t’u fliste shpirtrave të tyre në një mënyrë shumë të veçantë dhe të shpaloste mrekullitë e personit të Tij; në këtë mënyrë, shpirtrat e tyre kanë gufuar nga lumturia dhe ata kanë menduar se ishin në qiell. Mirëpo, edhe pse nuk gjendeshin atje, ata ishin afër pragut të tij—sepse sa herë që Jezusi u dëftehet njerëzve të Tij, qielli zbret mbi tokë; kemi parajsë në embrion dhe lumturi në fillesat e saj.
Shfaqjet e veçanta të Krishtit kanë një ndikim të shenjtë në zemrën e besimtarit. Njëri nga ndikimet do të jetë përulësia. Në qoftë se dikush thotë: “Kam pasur këtë apo atë komunikim frymëror, ja pse jam një njeri i madh”, kjo do të thotë se në të vërtetë nuk ka pasur asnjë bashkësi [frymërore] me Jezusin; sepse “ZOTI tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mendjemadhin e njeh nga larg” (Psalmi 138:6). Atij nuk i duhet t’u afrohet pranë mendjemëdhenjve për t’i njohur ata, dhe kurrë nuk do t’u bëjë atyre vizita dashurie. Një efekt tjetër do të jetë lumturia, sepse në praninë e Perëndisë ka kënaqësi të përjetshme. Me siguri që pas tyre do të vijë edhe shenjtëria. Kush nuk ka shenjtëri, nuk ka pasur shfaqje të tilla [të Zotit Jezus]. Janë ca e ca që e shpallin me të madhe besimin e tyre në Jezusin; por ne nuk duhet t’i zëmë besë askujt pa verifikuar më parë nëse veprat dhe fjalët e tij janë një. “Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet në lojë” (Galatasve 6:7). Ai nuk do t’i shpërndajë të mirat e tij mbi të ligjtë, sepse ashtu siç nuk e hedh poshtë një njeri të përkryer, po ashtu nuk i kushton vëmendje një keqbërësi. Kështu, pra, afërsia e Krishtit sjell tri efekte: përulësi, lumturi dhe shenjtëri. Perëndia t’i faltë ato efekte, o i krishterë!
© dritez.al 2024