spurgeon dev 12 korrik pm
July 2023

Mbretërinë e tij qiellore.

2 e Timoteut 4:18

Qyteti i Mbretit të madh është një vend shërbese aktive. Shpirtrat e shpenguar i shërbejnë Atij ditë e natë në tempullin e Tij. Ata nuk heqin dorë kurrë nga përpjekja për t’i pëlqyer Mbretit të tyre. Ata janë në prehje të vazhdueshme për sa i përket lehtësimit dhe çlirimit të tyre nga shqetësimet dhe hallet, por nuk prehen asnjëherë në kuptimin e përtacisë ose të pasivitetit. Jerusalemi i artë është një vend përbashkësie me të gjithë popullin e Perëndisë. Atje do të ulemi me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin në përbashkësi të përjetshme. Atje do të bëjmë biseda të larta frymërore me ushtrinë fisnike të të zgjedhurve, me të gjithë ata që mbretërojnë me Atë që, përmes dashurisë dhe krahut të Tij të fuqishëm, i ka sjellë të sigurt në shtëpi. Nuk do të këndojmë solo, por në kor do t’i këndojmë këngë lavdërimi Mbretit tonë. Qielli është vendi ku fitorja bëhet realitet.

I krishterë, sa herë që ke arritur një fitore mbi epshet e mishit—sa herë që pas një lufte të ashpër e ke shtrirë të vdekur në këmbët e tua një tundim—në atë çast, ti ke pasur një parashijim të gëzimit që të pret, kur Zoti së shpejti ta shtypë me këmbë Qoftëlargun përpara teje, duke të zbuluar kështu se je më shumë se fitimtar me anë të Atij që të deshi.

Qielli është një vend sigurie. Kur gëzon sigurinë e plotë të besimit, ke në dorë edhe kaparin e asaj sigurie të lavdishme, që do të jetë edhe e jotja kur të bëhesh një qytetar i përsosur i Jerusalemit qiellor. O Jerusalem, shtëpia ime e dashur, limani i hareshëm i shpirtit tim! Faleminderit, madje edhe tani, Atij, dashuria e të cilit më ka mësuar të të dëshiroj plot zjarr; por do ta falënderoj me zë ushtime në përjetësi, kur të vijë dita që të bëhesh imi.

Rrushin ka shijuar shpirti im,
Dhe dëshiron me zjarr t’shkojë
Tek vreshti i të shtrenjtit Zotit tim
Ku vilet rriten në agim.
Te vreshti i gjallë dhe i vërtetë,
Shpirti im i uritur do t’darkojë
Dhe fryt hyjnor do t’shijojë,
Si i ftuar për mot e jetë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin