Ju jeni të Krishtit.
1 e Korintasve 3:23“Ju jeni të Krishtit.” Ti je i Tiji prej dhurimit, sepse Ati ia dhuroi personin tënd Birit; ti je i Tiji prej blerjes me anë të gjakut të Tij, sepse Ai e pagoi çmimin e shpengimit tënd. Ti je i Tiji prej përkushtimit, sepse e ke shenjtëruar veten për Të. Ti je i Tiji prej lidhjes, sepse ke marrë emrin e Tij dhe je bërë një prej vëllezërve dhe bashkëtrashëgimtarëve të Tij. Përpiqu t’i tregosh botës praktikisht se je shërbëtori, miku dhe nusja e Jezusit.
Kur përballesh me ngasjen e mëkatit, kundërpërgjigju: “Nuk mund ta bëj këtë të keqe të madhe, sepse unë që jam i Krishtit.” Parimet e amshueshme nuk e lënë mikun e Krishtit të mëkatojë. Kur të të krijohet mundësia për të vënë pasuri me anë të mëkatit, kundërpërgjigju duke thënë se je i Krishtit dhe as mos i prek ato me dorë. A po ballafaqohesh vallë me vështirësi dhe rreziqe? Qëndro i fortë në orën e ligë, duke i kujtuar vetes se je i Krishtit. A mos gjendesh vallë mes atyre që dergjen në përtaci, duke ndenjur duarkryq? Ngrihu dhe hyji punës, dhe kur djersa të të ketë kulluar çurg dhe të prekesh nga ngasja për ta lënë punën në mes, bërtit me të madhe: “Jo, nuk mund të ndaloj, sepse jam i Krishtit. Po të mos isha blerë me anë të gjakut, mund të isha si Isakari, i kërrusur mes dy barrëve; por jam i Krishtit dhe nuk mund ta zvarrit punën.” Kur të tundohesh nga tingujt e sirenave të kënaqësive për ta lënë shtegun e drejtë, kundërpërgjigjju atyre: “Muzika juaj nuk mund të më magjepsë, sepse jam i Krishtit.” Kur ta dëgjosh ftesën për t’iu bashkuar kauzës së Perëndisë, jep pa u kursyer nga të mirat e tua dhe nga vetja, sepse je i Krishtit.
Asnjëherë mos e tradhto atë që shpall me gojë. Qofsh përherë një prej atyre, veprat e të cilëve janë të krishtera, të folurit e të cilëve ngjason me atë të Jezusit, sjellja dhe komunikimi i të cilëve ta sjellin kaq shumë ndërmend qiellin, saqë të gjithë ata që të shohin të mund ta dinë se je i Shpëtimtarit, duke dalluar te ti tiparet e dashurisë dhe shëmbëllimin e shenjtërisë së Tij. Në kohët e lashta thuhej “Unë jam romak” për të treguar integritet, aq më tepër, pra, argumenti juaj për shenjtërinë le të jetë: “Unë jam i Krishtit!”.
© dritez.al 2024