“Ka ende gjëra për të thënë nga ana e Perëndisë.”
Jobi 36:2
Nuk duhet kurrsesi që t’u bëjmë reklamë virtyteve tona dhe as të vëmë tellallin për zellin tonë; por në të njëjtën kohë do të mëkatonim, nëse do të përpiqeshim gjithmonë t’i fshihnim ato që Perëndia na i ka dhuruar për të mirën e të tjerëve. Një i krishterë nuk duhet të jetë një fshat në një luginë, por “një qytet i ngritur sipër mbi mal” (Mateu 5:14); ai nuk duhet të jetë një qiri nën babune, por një qiri i vënë mbi një shandan për t’u bërë dritë të gjithëve.
Mënjanimi mund të jetë i pëlqyeshëm në kohën e vet dhe fshehja e vetes është pa dyshim një shenjë modestie, por fshehja e Krishtit brenda nesh nuk mund të përligjet kurrsesi, dhe mbajtja për vete e të vërtetave të vyera është një mëkat ndaj të tjerëve dhe një fyerje ndaj Perëndisë.
Nëse ke një temperament të zjarrtë, apo nëse je i mbyllur nga natyra, bëj kujdes që të mos gjesh kënaqësi në këto prirje drithëruese, se përndryshe do të jesh i padobishëm për kishën. Përpiqu që për hir të Atij që kurrë nuk u turpërua me ty, t’i shtrëngosh paksa ndjenjat e tua dhe t’ua tregosh të tjerëve atë që të ka treguar Krishti.
Nëse nuk buçet dot me zë trumbete, atëherë përdor zërin tënd të ulët. Nëse foltorja nuk duhet të jetë tribuna jote, nëse shtypi nuk mund t’i botojë fjalët e tua, atëherë bashkohu njëzëri me Pjetrin dhe Gjonin: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam atë po ta jap” (Veprat 3:6).
Nëse nuk mund të bësh një predikim në mal, atëherë foli gruas samaritane pranë pusit të Siharit. Lavdëroje Jezusin në shtëpinë tënde, nëse këtë nuk e bën dot në tempull; thuri lavde Atij në fushë, nëse këtë nuk e bën dot në mes të qytetit; përlëvdoje përpara familjes sate, nëse këtë nuk e bën dot në mes të familjes së madhe njerëzore. Le të derdhen ëmbël rrjedhat e ujit të dëshmisë nga burimet e fshehura brenda teje, me qëllim që t’ua shuajnë etjen atyre që kalojnë andej pari. Mos e fshih talentin tënd, por shfrytëzoje për mirë, dhe kështu do të nxjerrësh fitim të mirë për Zotin dhe Mjeshtrin tënd. Të folurit rreth Perëndisë do të na freskojë, do t’i gëzojë shenjtorët, do t’u sjellë dobi mëkatarëve dhe do ta nderojë Shpëtimtarin tonë.
© dritez.al 2024