spurgeon dev 12 gusht am
August 2023

Zoti mbretëron; le të gëzohet toka.

Psalmi 97:1

Nuk ka asnjë arsye reale për t’u shqetësuar, për aq kohë sa kjo fjali e bekuar është e vërtetë. Mbi tokë, fuqia e Zotit është po aq në kontroll të zemërimit të të ligjve sa edhe në kontroll të shkulmave të detit; dashuria e Tij e freskon të varfrin me mëshirë po aq lehtë sa edhe tokën me shira. Madhëria vezullon në flakët e vetëtimave mes tmerreve të stuhisë dhe lavdia e Zotit dallohet me gjithë madhështinë e saj në rënien e perandorive dhe në shembjen e froneve. Në të gjitha konfliktet dhe mundimet tona mund të vërejmë dorën e Mbretit hyjnor.

Çdo vështirësi dhe lot tonin,
Zoti Perëndi shikon dhe dëgjon.
Shpirt, mes dhimbjesh, mos harro,
Perëndia mbi gjithçka përjetë mbretëron.

Në ferr, frymët e liga e pranojnë me hidhërim epërsinë e Tij të padiskutueshme. Kur lejohen të vijnë vërdallë nëpër botë, e bëjnë këtë me zinxhirë ndër këmbë; kapistra gjendet në gojën e bishës [behemothit] dhe çengeli në gojë të përbindëshit [leviathanit]. Shigjetat e vdekjes janë nën pushtetin e Zotit, ndërsa burgjet e varrit kanë fuqinë hyjnore si gardianin e tyre. Hakmarrja e tmerrshme e Gjyqtarit të mbarë dheut i bën djajtë të dridhen e të mblidhen kruspull.

Mos druaj vdekjen, as t’Satanit shigjeta,
Perëndia e mbron atë që tek Ai beson;
Shpirt, mes dhimbjesh, ti kujto,
Perëndia mbi gjithçka përjetë mbretëron.

Në qiell askush nuk e vë në dyshim sovranitetin e Mbretit të Përjetshëm, por të gjithë bien përmbys në nderim të Tij. Engjëjt janë oborrtarët e Tij, të shpenguarit janë beniaminët e Tij, dhe të gjithë kënaqen t’i shërbejnë Atij ditë e natë. Mbërritshim sa më shpejt në qytetin e Mbretit të madh!

Në vend të kësaj nate t’gjatë trishtimi,
Paqe dhe hare Ai na dhuron.
Shpirt, mes dhimbjesh, kujto,
Perëndia mbi gjithçka përjetë mbretëron.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>