spurgeon dev 12 gusht pm
August 2023

“Harku [ylberi] të shfaqet në re.”

Zanafilla 9:14

Ylberi, simboli i besëlidhjes me Noeun, është një metaforë për Zotin tonë Jezus, i cili është dëshmia e Zotit për njerëzimin. Kur mund të shpresojmë ta shohim këtë simbol besëlidhjeje? Ylberi mund të shihet vetëm i pikturuar mbi një re. Kur ndërgjegjja e mëkatarit është e nxirë sterrë nga retë, kur atij i kujtohet mëkati i së shkuarës dhe vajton e qan me lot përpara Perëndisë, Jezu Krishti i zbulohet atij si Ylberi i besëlidhjes, duke shfaqur të gjitha nuancat e lavdishme të natyrës hyjnore dhe duke shpallur paqen. Për besimtarin, kur gjendet mes sprovash e tundimesh, nuk ka gjë më të bekuar sesa të vështrojë personin e Zotit Jezu Krisht—ta shohë tek gjakoset, jeton, ringjallet dhe lutet për ne. Ylberi i Perëndisë qëndron mbi renë e mëkateve, vuajtjeve dhe dhimbjeve tona, duke profetizuar çlirimin prej tyre. Mirëpo, nuk mjaftojnë vetëm retë për të bërë ylberin; nevojiten edhe pikat e kristalta të shiut për të reflektuar dritën e diellit.

Kështu edhe vuajtjet tona nuk duhet të mbeten në fazën e kanosjes, por duhet të na bien vërtet mbi kokë. Krishti nuk do të ishte shfaqur kurrë për ne nëse hakmarrja e Perëndisë do të kishte mbetur vetëm një re kërcënuese: ndëshkimi duhet të bjerë me pika të tmerrshme mbi Të. Për sa kohë ndërgjegjja e mëkatarit nuk kaplohet nga një ankth i vërtetë, nuk ka Krisht për të; për sa kohë ndëshkimi që ai përjeton, nuk i shkakton dhimbje, ai nuk mund ta shohë dot Jezusin. Mirëpo, gjithashtu nevojitet edhe dielli; sepse retë dhe pikëzat e shiut nuk e bëjnë dot ylberin po qe se nuk ndriçon dielli. Shumë i dashur, Perëndia ynë, i cili është si diell për ne, ndriçon përherë, por ne nuk e shohim dot gjatë gjithë kohës—retë fshehin fytyrën e Tij; mirëpo, nuk ka rëndësi ç’lloj pikash shiu mund të jenë duke rënë, ose se çfarë resh mund të na kërcënojnë, sepse në qoftë se Ai ndriçon, ylberi do të dalë menjëherë.

Thuhet se kur shohim ylberin, reshjet kanë përfunduar. Është e sigurt që kur vjen Krishti, hallet tona fshihen; kur shohim Jezusin, mëkatet tona zhduken, ndërsa dyshimet dhe frikërat tona fashiten. Çfarë qetësie e thellë që bie kur Jezusi ecën mbi ujërat e detit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>