spurgeon dev 12 dhjetor am
December 2023

Rrugët e tij janë të përjetshme.

Habakuku 3:6

Atë që Perëndia e ka bërë njëherë, ka për ta bërë sërish. Rrugët e njeriut janë të ndryshueshme, por rrugët e Perëndisë janë të përjetshme. Ka shumë arsye për këtë të vërtetë shumë ngushëlluese.

Mes tyre mund të përmendim të mëposhtmet: Rrugët e Zotit vijnë si rezultat i vendimmarrjes së mençur; Ai i rregullon të gjitha gjërat sipas këshillës së vullnetit të Tij. Veprimi njerëzor është shpesh rrjedhoja e nxituar e pasionit ose frikës, dhe pasohet nga keqardhja dhe ndryshimi [i mendjes]; por asgjë nuk mund ta befasojë Shumë të Lartin ose të ndodhë ndryshe nga sa Ai ka parashikuar.

Rrugët e Tij janë produkti i një karakteri të pandryshueshëm dhe në to shihen qartë atributet e përcaktuara edhe të përhershme të Perëndisë. Duke e ditur se Vetë i Përjetshmi nuk ndryshon dot, rrugët e Tij, të cilat janë Ai Vetë në veprim, do të mbeten përherë të njëjta. Vallë, a nuk është Ai përjetësisht i drejtë, i hirshëm, besnik, i urtë dhe zemërbutë? Atëherë edhe rrugët e Tij do të karakterizohen përherë prej të njëjtave virtyte të shkëlqyera. Çdo qenie sillet sipas natyrës së saj: kur kjo natyrë ndryshon, i njëjti fat e pret edhe sjelljen e saj. Mirëpo, duke qenë se te Perëndia nuk mund të ketë asnjë hije ndryshimi, rrugët e Tij qëndrojnë përjetësisht të njëjtat.

Veç kësaj, nuk ekziston asnjë arsye e jashtme që mund t’i kthejë përmbys rrugët hyjnore, meqenëse ato janë mishërimi i fuqisë së Tij të papërballueshme. Profeti na thotë se toka ndahet nga lumenjtë, malet dridhen, deti ngre duart lart, dielli dhe hëna qëndrojnë pa lëvizur kur Jahveh-u marshon për të shpëtuar popullin e Vet.

Kush mund ta ndalë Atë ose t’i thotë: “Çfarë po bën?”. Mirëpo, vetëm fuqia në vetvete nuk sjell qëndrueshmëri; rrugët e Perëndisë janë shfaqja e parimeve të përjetshme të së drejtës dhe si rrjedhojë, nuk mund të përmbysen dot kurrë. Nga e keqja lind prishja dhe vjen rrënimi, por e vërteta dhe mirësia karakterizohen nga një vitalitet të cilin epokat nuk e zvetënojnë dot. 

Këtë mëngjes, le të shkojmë tek Ati qiellor me besim, duke kujtuar që Jezu Krishti është i njëjtë dje, sot dhe përjetë, dhe se në Të, Zoti tregohet përherë i hirshëm ndaj popullit të Vet.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin