spurgeon dev 12 dhjetor pm
December 2023

“Kanë vepruar me mashtrim kundër Zotit.”

Osea 5:7

Besimtar, ja ku ke një të vërtetë të trishtueshme! Ti je i dashuri i Zotit, i shpenguar nga gjaku, i thirrur nga hiri, i ruajtur në Krishtin Jezus, i pranuar në Të Dashurin, je rrugës për në qiell, megjithatë, “ke vepruar me mashtrim” kundër Perëndisë, mikut tënd më të mirë; ke vepruar me mashtrim kundër Jezusit, të cilit edhe i përket; ke vepruar me mashtrim kundër Frymës së Shenjtë, me anë të të cilit je rilindur në jetë të përjetshme! Sa i pabesë që je treguar në lidhje me zotimet dhe premtimet e tua! A të kujtohet vallë dashuria jote në fillim, ajo kohë e lumtur, pranvera e jetës sate frymërore? Oh, sa pranë Mësuesit qëndroje atëherë, tek thoshe: “Nuk do ta lë kurrë të më fajësojë për indiferencë; këmbët e mia nuk do të ngadalësohen kurrë në udhën e shërbimit të Tij; nuk do ta lë kurrë zemrën time të bredhë pas dashurive të tjera; tek Ai gjendet bekimi më i madh që mund të shijoj ndonjëherë. Jam gati të heq dorë nga gjithçka për hir të Zotit tim Jezus.” A nuk të ndodhur vallë edhe ty kështu? Vaj medet, nëse ndërgjegjja do të kishte gojë të fliste, do të thoshte: “Ai që premtoi kaq shumë, ka bërë kaq pak. Ka ndodhur shpesh që lutja të jetë dëgjuar mbyturazi—ka qenë e shkurtër, por jo e ëmbël, e shpejtë, por jo e zjarrtë.

Përbashkësia me Krishtin është harruar. Në vend të një mendjeje qiellore, ka pasur shqetësime tokësore, kotësi të marra dhe mendime të liga. Në vend të shërbimit, ka pasur mosbindje, në vend të zellit të zjarrtë vaktësi, në vend të durimit padurim, në vend të besimit vetëbesim; ndërsa si ushtar i kryqit, është treguar burracak, i pabindur dhe dezertor, për turpin e vet të pamasë.”

“Kanë vepruar me mashtrim.” Të pabesë ndaj Jezusit! Çfarë fjalësh mund të përdoren për ta denoncuar këtë gjë? Nuk ka fjalë që mund ta shprehin një gjë të tillë: prandaj, mendimet tona plot pendesë e dënofshin mëkatin që me siguri struket brenda nesh. Të pabesë ndaj flijimit Tënd, o Jezus! Na fal, dhe mos na lër të mëkatojmë prapë! Sa gjë e turpshme është të jemi të pabesë kundër Atij që kurrë nuk na harron, por që, edhe sot e kësaj dite, qëndron përpara fronit të përjetshëm, duke i pasur emrat tanë të gdhendur në parzmoren e Tij.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin