spurgeon dev 11 am
Tetor 2023

Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona drejt Perëndisë së qiejve.

Vajtimet 3:41

Veprimi i lutjes na mëson pavlerësinë tonë, mësim i cili është mjaft i dobishëm për qenie të tilla krenare si ne. Në qoftë se Perëndia do të na jepte të mira pa na detyruar të luteshim për to, nuk do ta dinim kurrë se sa të varfër jemi, por një lutje e vërtetë është një inventar nevojash, një katalog mungesash, një zbulim i skamjes së fshehur. 

Ndërsa lutja është një kërkesë për pasuri hyjnore, ajo është edhe një rrëfim i zbrazëtisë njerëzore. Gjendja më e shëndetshme për një krishterë është të qenët përherë i zbrazur nga vetja, dhe vazhdimisht i varur te Zoti për nozullimet e Tij; të qenët përherë të varfër në vetvete dhe të pasur në Jezusin, të qenët në vetvete të dobët si uji, por të fuqishëm falë Perëndisë, për të bërë bëma të mëdha. Këtu hyn në punë lutja, sepse ndërkohë që e adhuron Perëndinë, e vendos krijesën aty ku duhet të jetë—në pluhur. 

Në vetvete, lutja është mjaft e dobishme për të krishterin, pavarësisht se çfarë përgjigjeje i sjell. Ashtu si vrapuesi që mbledh forcat për garën, duke u stërvitur ditë për ditë, edhe ne fitojmë energji për garën e madhe të jetës duke u ushtruar në stërvitjen e shenjtë të lutjes. Lutja i mbush me pendë krahët e shqiponjëzave të reja të Perëndisë, me qëllim që ato të mësojnë të ngjiten përmbi re. Lutja i ngjesh ijët e luftëtarëve të Perëndisë dhe i dërgon ata për luftë me tejza të tendosura dhe muskuj të forcuar. Besimtari lutës del nga kthina e tij, ashtu si dielli që ngrihet nga dhomat e lindjes, i përshkuar nga një gëzim i ngjashëm me atë të një atleti që është gati për të marrë pjesë në garë. Lutja është dora e ngritur e Moisiut, që i shpartallon amalekitët më tepër sesa shpata e Jozueut; është shigjeta e shkrehur nga dhoma e profetit, që paralajmëron humbjen e sirianëve. Lutja e pajis dobësinë njerëzore me forcë hyjnore, e kthen marrëzinë njerëzore në urtësi hyjnore dhe u fal shpirtrave të trazuar paqen e Perëndisë. 

Sa pak dimë për atë që mund të bëjë lutja! Të falënderojmë Ty, o Perëndi i madh, për fronin e mëshirës, një provë e jashtëzakonshme e dashamirësisë Sate të mrekullueshme! Na ndihmo që ta përdorim ashtu siç duhet gjatë gjithë ditës së sotme!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin