spurgeon dev 11 pm
October 2023

Por ata që i paracaktoi, ata ai edhe i thirri.

Romakëve 8:30

Te letra e dytë drejtuar Timoteut, kapitulli i parë, vargu i nëntë, gjejmë këto fjalë: “[Ai] që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë.” Ja ku e kemi, pra, gashtën me anë të së cilës mund ta vëmë në provë thirrjen tonë. Është “një thirrje e shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit”. Kjo thirrje e ndalon vendosjen e besimit në veprat tona dhe na çon vetëm te Krishti për shpëtim, ndërsa më pas na pastron nga veprat e vdekura, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë dhe të vërtetë. 

Duhet të jesh i shenjtë, sepse Ai që të thirri është i shenjtë. Nëse jeton ende në mëkat, nuk je i thirrur; por nëse je vërtet i Krishtit, mund të thuash: “Asgjë nuk më lëndon më shumë sesa mëkati; dëshiroj ta flak jashtë jetës sime. O Zot, më ndihmo që të jem i shenjtë!”. A është kjo dëshira e zjarrtë e zemrës sate? A është ky, vallë, thelbi i jetës sate ndaj Perëndisë dhe vullnetit të Tij hyjnor? Po ashtu, te Filipianëve 3:13-14, flitet për “thirrjen e lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus”. A është vallë thirrja jote një thirrje e lartme? A është fisnikëruar zemra jote falë saj dhe a është dhënë pas gjërave qiellore? Vallë, a janë ngritur më lart falë saj shpresat, shijet dhe dëshirat e tua? Vallë, a është rritur falë saj rrjedha e vazhdueshme e jetës sate, me qëllim që ta kalosh me Perëndinë dhe për Perëndinë?

Një test tjetër e ndeshim te Hebrenjve 3:1, ku thuhet se jemi bërë “pjesëtarë të thirrjes qiellore”. Me “thirrje qiellore” kuptojmë një thirrje që vjen nga qielli. Në qoftë se thirrja jote vjen nga njeriu, atëherë nuk je i thirrur. A vjen thirrja jote nga Perëndia? A është një thirrje për në qiell, ashtu siç vjen edhe nga qielli? Po qe se nuk ndihesh si i huaj këtu dhe po qe se qielli nuk është shtëpia jote, nuk je thirrur me një thirrje qiellore, sepse ata që kanë marrë një thirrje qiellore, thonë se po presin qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia, dhe vetë janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe. A është thirrja jote e shenjtë, e lartme dhe qiellore? Atëherë, i dashur, je i thirrur nga Perëndia, sepse e tillë është thirrja me të cilën Ai i thërret të Vetët!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin