“Ndahuni prej tyre.”
2 e Korintasve 6:17
Edhe pse gjendet në botë, i krishteri nuk duhet t’i përkasë kësaj bote. Ai duhet të jetë i dallueshëm prej saj, për shkak të objektivit të madh të jetës së tij. Për të, “të jetuarit” duhet të jetë “Krishti” (Filipianëve 1:21). Pra, nëse ha ose pi, ose bën diçka tjetër, ai duhet ta bëjë për lavdinë e Perëndisë. Mund të mbledhësh thesare; por duhet t’i mbledhësh ato në qiell, ku nuk i brejnë dot as tenja, as ndryshku, dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin. Mund të përpiqesh të bëhesh i pasur; mirëpo, qoftë ambicia jote të bëhesh “i pasur në besim” (Jakobi 2:5) dhe në vepra të mira. Mund të kërkosh kënaqësi, por kur të jesh i gëzuar, këndo psalme dhe thuri Zotit këngë lavdërimi me zemrën tënde.
Duhet të jesh i ndryshëm nga bota, jo vetëm në frymën tënde, por edhe në synimet e tua. Tek pret me përulësi përpara Perëndisë, duke qenë gjithnjë i vetëdijshëm për praninë e Tij, duke u kënaqur me përbashkësinë që ke me Të dhe duke u përpjekur të njohësh vullnetin e Tij, do të japësh prova se je qytetar i qiellit. Gjithashtu duhet të ndahesh nga bota në veprimet e tua. Në qoftë se diçka është e drejtë, edhe nëse do t’i prishje punë vetes duke e bërë, duhet ta bësh medoemos; në qoftë se është e gabuar, edhe nëse do të fitoje prej saj, bën mirë ta refuzosh mëkatin për hir të Mësuesit tënd. Nuk duhet të kesh përbashkësi me veprat e pafrytshme të errësirës, por, përkundrazi, duhet t’i qortosh ato. Ec denjësisht dhe siç i ka hije thirrjes sate të lartë! Dhe kujtoji vetes, o i krishterë, se je biri i Mbretit të mbretërve! Ja pse duhet ta ruash veten të panjollë nga bota. Mos i bëj me dhé gishtat e duarve që duhet t’i shërbejnë Mbretit! Mos i lër sytë e tu të kthehen në dritaret e epshit, ata sy që shumë shpejt do ta shohin Mbretin në bukurinë e Tij! Mos i lër këmbët të të ndoten nëpër baltovina, sepse shumë shpejt, ato do të ecin përgjatë udhëve të arta! Mos e lër zemrën të të mbushet me krenari dhe hidhësi, por përgatite atë që të mbushet me qiellin dhe të përmbytet nga gëzimi marramendës!
Ngrihu shpirti im dhe larg fluturo,
Mbi turmën e pamend;
Mbi kënaqësitë kalimtare,
Dhe pompozitetin e krenarit flatro;
Atje lart ku bukuritë e përjetshme lulojnë,
Dhe kënaqësitë janë të gjitha hyjnore;
Ku pasuritë kurrë nuk mbarojnë,
Dhe ku lavdi të pafundme ndriçojnë.
© dritez.al 2024