spurgeon dev 11 shtator pm
September 2023

O Zot, më udhëhiq në drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi.

Psalmi 5:8

Armiqësia e botës është e hidhur në sulmet e saj kundër popullit të Krishtit. Njerëzit janë gati t’i falin një mijë e një faje të tjerëve, por e bëjnë tra edhe qimen e gabimit më të vogël që vërejnë mes nxënësve të Jezusit. Në vend që të qahemi më kot rreth kësaj së vërtete, le ta kthejmë atë në favorin tonë, dhe meqenëse janë kaq të shumtë ata që mezi ç’presin që ne të rrëzohemi diku, qoftë kjo një arsye edhe më e fortë për të ecur me kujdes përpara syve të Perëndisë! Në qoftë se jetojmë shkujdesshëm, bota që na vëzhgon, do ta dallojë menjëherë një gjë të tillë, dhe me njëqind gjuhët e saj do të përhapë fjalë rreth sjelljes sonë, duke i zmadhuar faktet dhe duke i zbukuruar ato me zellin e shpifjes.

Ata do të thërrasin me ngazëllim të pashoq: “Pa shiko! Shiko se si veprojnë këta të krishterët! Ata janë hipokritë në sytë e të gjithëve.” Kështu, kauzës së Krishtit do t’i shkaktohet dëm i madh, dhe emri i Tij do të përflitet shumë. Kryqi i Krishtit, në vetvete, është një skandal për botën; le të kemi kujdes që të mos i shtojmë ndonjë fyerje tonën. Është “skandal për judenjtë” (1 e Korintasve 1:23): le të ruhemi që të mos vendosim asnjë gur tjetër skandali aty ku ka mjaft të tjerë tashmë! [Mirëpo, është edhe] “marrëzi për grekët”: le të ruhemi se mos me marrëzinë tonë i japim arsye të dukshme atyre të botës që të tallen me Ungjillin! Sa shumë që duhet të ruhemi! Sa të rreptë duhet të tregohemi me ndërgjegjen tonë!

Sa kujdes duhet të bëjmë në prani të kundërshtarëve që do t’i keqinterpretojnë edhe veprat tona më të mira dhe do t’i sulmojnë motivet tona kur nuk mund të na i kritikojnë dot veprimet! Si shtegtarë, ne udhëtojmë si persona të dyshimtë përmes Panairit të Kotësive. Jo vetëm që jemi nën vëzhgim, por numri i spiunëve është edhe më i madh sesa mund të na e marrë mendja, në shtëpi dhe në rrugë. Në qoftë se do të binim në duart e armiqve, më shpejt mund të prisnim zemërgjerësi nga një ujk ose mëshirë nga një djall, sesa ndonjë gjë të tillë si durimi ndaj dobësive tona prej atyre që e lezetojnë pabesinë e tyre ndaj Perëndisë me skandale kundër popullit të Tij. O Zot, na udhëhiq për jetë e mot; mos lejo që armiqtë tanë të na bëjnë të pengohemi e të biem në gabime!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>