Dhe i njihnin se kishin qenë me Jezusin.
Veprat 4:13
Një i krishterë duhet të jetë kopja identike e Jezu Krishtit. Ju ka ndodhur të lexoni jetëshkrime të Krishtit, të shkruara bukur e me fjalë të zgjedhura, por jetëshkrimi më i mirë i Krishtit është biografia e Tij e gjallë, e shkruar me fjalët dhe veprimet e popullit të Tij. Nëse do të ishim ata që shpallim se jemi, dhe ata që duhet të jemi, ne do të ishim portrete të Krishtit, madje kaq të njëllojtë në ngjashmëri me Të, saqë botës nuk do t’i duhej të humbiste kohë duke na krahasuar dhe të thoshte: “E po mirë, më duket se ngjani disi”; por ajo me të na parë, do të klithte plot entuziazëm: “Ai ka qenë me Jezusin; ka marrë mësim prej Tij; i ngjan Atij; ai e paska kapur thelbin e Njeriut të shenjtë të Nazaretit, dhe e ushtron atë në jetën e tij dhe veprimet e tij të përditshme.”
Një i krishterë duhet të jetë si Krishti në guximin e tij. Mos të të vijë kurrë turp për krishterimin tënd; besimi yt nuk do të ta nxijë kurrë faqen: por ama ki kujdes që kurrë mos t’ia nxish ti faqen atij! Ji sikur Jezusi, trim kreshnik për Perëndinë tënd!
Imitoje Atë në shpirtin tënd me dashuri; mendo me mirësi, fol me butësi dhe vepro me dashamirësi, në mënyrë që njerëzit të mund të thonë për ty: “Ai ka qenë me Jezusin.” Imitoje Jezusin në shenjtërinë e Tij. A ishte Ai i zellshëm për Mjeshtrin e Tij? Ashtu duhet të jesh edhe ti, duke mos pushuar së bëri mirë. Mos e lër kohën të shkojë kot; koha është flori! A nuk ishte Ai vallë vetëmohues, duke mos e kërkuar kurrë interesin e vet? Ji edhe ti si Ai! Vallë, a nuk ishte Ai i përkushtuar? Atëherë, ji i zjarrtë në lutjet e tua! Vallë, a vonohej Ai t’i bindej vullnetit të Atit të Tij? Atëherë, nënshtroju Atij! Vallë, a nuk ishte i durueshëm Ai? Mëso edhe ti të durosh! Dhe më e mira nga të gjitha, si portretizimi më sublim i Jezusit, përpiqu t’i falësh armiqtë e tu, ashtu siç bëri edhe Ai vetë; dhe këto fjalë sublime të Mjeshtrit tënd të tingëllofshin përherë në vesh: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”! Fal, ashtu siç pret të të falin! Mblidh thëngjij të ndezur mbi kokën e armikut tënd, duke i shfaqur atij mirësi! Mos harro që ta kthesh të keqen me të mirë, sepse është një gjë e perëndishme!
Ji, pra, i perëndishëm; dhe në gjithçka dhe me çdo kusht, jeto në atë mënyrë që të gjithë të mund të thonë për ty: “Ai ka qenë me Jezusin”!
© dritez.al 2024