Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.
1 e Gjonit 4:19
Planetin nuk e ndriçon asnjë dritë tjetër përveç asaj që vjen prej diellit, dhe nuk ka dashuri të vërtetë për Jezusin në zemër, përveç asaj që rrjedh nga Vetë Zoti Jezus. Çdo pikë e dashurisë sonë për Perëndinë duhet të burojë nga ky burim gurgullues i dashurisë së pafundme të Perëndisë.
Kjo e vërtetë është themelore, pra, që e duam Atë për asnjë arsye tjetër përveç asaj që Ai na deshi i pari. Dashuria jonë për Të nuk është veçse rezultati i dashurisë së Tij për ne. Gjithkush mund të ndiejë admirim gjakftohtë për veprat e Perëndisë tek i studion ato, por vetëm Fryma e Perëndisë mund të na e ndezë në zemër flakën e ngrohtë të dashurisë.
Sa i mrekullueshëm është fakti që secili prej nesh e do Jezusin, duke marrë parasysh se ç’lloj njerëzish jemi! Sa e mrekullueshme është që edhe pse kishim ngritur krye kundër Tij, Ai u përpoq që të na afronte sërish tek Vetja, duke shfaqur në këtë mënyrë një dashuri kaq të mahnitshme. Jo, kurrë nuk do të kishim ndier as edhe një grimcë dashurie për Perëndinë, po qe se ajo nuk do të ishte mbjellë brenda nesh nga fara e dashur e dashurisë së Tij për ne.
Dashuria, pra, ka për prind dashurinë e Perëndisë, të derdhur gjithandej në zemër: por ashtu siç lind në mënyrë hyjnore, edhe duhet ushqyer në mënyrë hyjnore. Dashuria nuk është si një bimë e cila do të lulëzojë natyrshëm në “dheun” e natyrës njerëzore—ajo duhet ujitur prej së larti. Dashuria për Jezusin është një lule me natyrë delikate, e cila, nëse do të mbetej vetëm në mëshirën e ushqimit që thith nga gurishta e zemrave tona, do të vyshkej pa humbur kohë. Meqenëse vjen nga qielli, dashuria duhet të ushqehet me bukë hyjnore. Nuk mund të mbijetojë në shkretëtirë po qe se nuk ushqehet nga mana që bie nga lart. Dashuria duhet ushqyer me dashuri. Vetë shpirti dhe jeta e dashurisë sonë për Perëndinë është pikërisht dashuria e Tij për ne.
Të dua, Zot, por jo me timen dashuri,
Sepse aspak të të jap nuk kam;
Të dua, Zot; por e gjithë dashuria është Jotja,
Sepse me anë t’dashurisë Sate jetoj.
Unë jam si një hiç, dhe gëzohem që jam
i zbrazur, i humbur dhe i përpirë në Ty.
© dritez.al 2024