spurgeon dev 11 qershor pm
Qershor 2023

Këtu ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës.

Psalmi 76:3

Britma e lavdishme e Shpengimtarit tonë kur tha: “U krye”, ishte kambana e vdekjes për gjithë armiqtë e popullit të Tij, çasti i copëtimit të “shpatës së luftës”. Pa shikojeni heroin e Golgotës se si e përdor kryqin e Tij porsi një kudhër, dhe vuajtjet e Tij porsi një çekan, për t’i bërë copë-copë vandak pas vandaku mëkatet tona, ato “shigjeta të zjarrta [e të helmatisura] të harkut”, duke shtypur me këmbë çdo akuzë dhe duke shkatërruar çdo përpjekje për të na fajësuar. Ç’goditje të lavdishme jep Thyesi ynë i fuqishëm me një çekan shumë herë më të rëndë sesa arma mitike e Thor-it! Pa shikoni se si bëhen copë-copë shigjetat djallëzore dhe se si thyhen shpatat e ferrit si enë balte të vjetra! Pa shikoni se si e nxjerr shpatën e kobshme të fuqisë satanike nga milli i saj i punuar bukur prej zejtarëve të ferrit! Ai e thyen më dysh mbi gju, ashtu si një burrë që thyen shkarpat dhe i hedh në zjarr.

Shumë i dashur, asnjë mëkat i një besimtari nuk mund të kthehet më në një shigjetë që shkakton plagë vdekjeprurëse, asnjë dënim nuk kthehet më në një shpatë për ta vrarë atë, sepse Krishti ka mbartur ndëshkimin e mëkatit tonë, Zëvendësuesi dhe Siguria jonë e bekuar i shleu plotësisht paudhësitë tona. Kush vallë mund të na akuzojë tani? Kush vallë mund të na dënojë tani? Krishti ka vdekur, por jo vetëm kaq: Ai u ringjall. Jezusi e ka zbrazur kukurën e shigjetave të ferrit, e ka shuar çdo shigjetë të zjarrtë dhe ua ka thyer majat të gjitha shigjetave të zemërimit. Toka është mbuluar nga copat dhe mbeturinat e armëve luftarake të ferrit, të cilat mbeten ende të dukshme vetëm për të na kujtuar për rrezikun e dikurshëm dhe për çlirimin tonë madhështor.

Mëkati nuk sundon më mbi ne. Jezusi i ka dhënë fund dhe e ka hequr qafe një herë e përgjithnjë. Shkatërrimeve të armikut tonë u ka ardhur fundi një herë e mirë. Shpallini me të madhe të gjitha veprat e mrekullueshme të Zotit, të gjithë ju që e përmendni emrin e Tij; mos reshtni, as ditën dhe as kur dielli shkon të pushojë prapa maleve! Bekoje Zotin, o shpirti im!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin