Derdhem si ujë dhe tërë kockat e mia janë të zbërthyera.
Psalmi 22:14
A kanë soditur vallë toka dhe qielli ndonjëherë një spektakël më të trishtuar sesa ky? Në trup dhe në shpirt, Zoti ynë ndihej i dobët porsi uji i derdhur mbi tokë. Vendosja e kryqit në folenë e vet e kishte shkundur Atë me një forcë të paparë, duke ia tendosur të gjitha ligamentet, duke lënduar çdo nerv dhe, pak a shumë, nuk i kishte lënë kockë pa ia nxjerrë nga vendi. Duke mos mundur të mbante dot as peshën e Vet, vuajtësi i pashoq e ndjeu peshën e vuajtjes tek shtohej nga çasti në çast gjatë atyre gjashtë orëve të gjata. Ligështimi dhe dobësia e përgjithshme ishin bërë të padurueshme, ndërsa Vetja i dukej si një masë mjerimi dhe sëmundjeje molisëse.
Danieli i përshkroi kështu ndijimet e tij kur pa vizionin madhështor: “Nuk më mbeti kurrfarë force; çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan” (Danieli 10:8). [Nëse Danieli u ndje kështu], atëherë, sa më i ligështuar duhet të jetë ndier Jezusi tek e pa vizionin e frikshëm të zemërimit të Perëndisë dhe e ndjeu atë në shpirtin e Tij! Për ne, ndijimet si ato që përjetoi Zoti ynë do të kishin qenë të papërballueshme dhe i vetmi shpëtim do të kishte qenë humbja e ndjenjave. Mirëpo, në rastin e Tij, Ai ishte i plagosur dhe e ndjeu të prerën e shpatës; Ai e piu kupën me fund dhe e shijoi çdo pikë të saj.
O Mbret i Dhimbjes! (Titull i habitshëm, por i vërtetë,
prej gjithë mbretërve vetëm Ty të shkon për shtat.)
O Mbret i Plagëve! Për Ty si do të vajtoj,
Që nga çdo vuajtje bëre që unë të shpëtoj!
Tek gjunjëzohemi përpara fronit të Shpëtimtarit tonë të ngritur lart, le ta kujtojmë me kujdes rrugën me anë të së cilës Ai e ktheu atë fron në një fron hiri për ne; le të pimë në frymë nga kupa e Tij, me qëllim që të forcohemi për orën tonë të vështirësisë kurdo që ajo të vijë. Çdo gjymtyrë e trupit të Tij fizik vuajti, dhe po kështu duhet të ndodhë edhe me trupin e Tij frymëror; ashtu siç doli trupi i Tij i pacenuar në fuqi dhe lavdi, prej të gjitha atyre dhimbjeve dhe vuajtjeve, në mënyrë të ngjashme, trupi i Tij mistik do të dalë nga furra pa mbajtur asnjë erë të djegure.
© dritez.al 2024