Shiko pikëllimin tim e ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.
Psalmi 25:18
Është mirë kur lutjet për pikëllimet tona dhe përgjërimet për sa u takon mëkateve tona janë të lidhura me njëra-tjetrën—kur, duke qenë nën dorën e Perëndisë, nuk e kemi mendjen vetëm te dhimbja jonë, por kujtojmë edhe shkeljet tona kundër Tij. Po ashtu, është mirë që t’i çojmë pikëllimet dhe mëkatin në të njëjtin vend. Davidi e shpuri pikëllimin e tij te Perëndia: Atij ia rrëfeu mëkatin e vet.
Vëreni, pra, se duhet t’ia shpiem Perëndisë pikëllimet tona! Madje edhe brengat më të vogla mund t’i hedhësh mbi Perëndinë, sepse Ai i numëron flokët e kokës sate; dhe mund t’ia besosh Atij edhe pikëllimet e mëdha, sepse Ai e mban oqeanin në gropën e dorës së Vet. Shko tek Ai, cilido qoftë halli që të mundon tani, dhe do të zbulosh se Ai është i aftë dhe i gatshëm të të ndihmojë! Mirëpo, ne duhet t’i shpiem edhe mëkatet tona te Perëndia. Duhet t’i çojmë te kryqi, që mbi to të bjerë gjaku, të fshijë fajin e tyre, por edhe të shkatërrojë fuqinë e tyre ndotëse.
Mësimi i posaçëm i këtij vargu është ky: ne duhet të shkojmë te Zoti me pikëllimet dhe mëkatet tona, duke pasur frymën e duhur. Vëreni se gjithçka që kërkon Davidi, në lidhje me pikëllimin e tij, është: “Shiko pikëllimin tim e ankthin tim”; por përgjërimi tjetër i tij është pafundësisht më i drejtpërdrejtë, më i përcaktuar, më i vendosur dhe më i qartë: “Fali të gjitha mëkatet e mia.”
Shumë vuajtës do të thoshin të kundërtën: “Hiqma pikëllimin dhe dhimbjen, dhe shikoji mëkatet e mia.” Mirëpo, Davidi nuk e thotë këtë; ai thërret: “Zot, nuk i diktoj dot asgjë urtësisë sate në lidhje me pikëllimin dhe ankthin tim. Zot, shikoji ato—unë do t’i lë në duart e Tua! Do të doja që të ma hiqje dhimbjen, por u bëftë ashtu siç do Ti! Për sa u përket mëkateve të mia, Zot, unë e di se ç’duhet të ndodhë me to—mëkatet duhet të më falen; nuk mund të duroj të jetoj as edhe një çast më shumë nën mallkimin e tyre.”
I krishteri e konsideron pikëllimin si një peshë më të lehtë sesa mëkati; ai mund ta përballojë vazhdimin e vuajtjeve, por nuk mund ta durojë barrën e shkeljeve të tij.
© dritez.al 2024