spurgeon dev 11 nëntor am
Nëntor 2023

Poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm.

Ligji i Përtërirë 33:27

Perëndia—Perëndia i përjetshëm—Ai Vetë është mbështetja jonë në çdo rast e rrethanë, dhe veçanërisht kur jemi duke u zhytur në telashe të mëdha. Ka stinë në të cilat i krishteri kridhet në një përulje shumë të thellë. I shtyrë nga ndjesia e fortë e mëkatit të vet të madh, përulet përpara Perëndisë deri aty ku nuk di më se si të lutet, sepse i duket vetja si një qenie shumë e pavlerë.

Mirëpo, fëmijë i Perëndisë, kujtoji vetes se edhe në gjendjen tënde më të keqe e më të përulur, edhe atëherë “poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm”! Mëkati mund të të zhytë gjithnjë edhe më thellë, por shlyerja madhështore e Krishtit është ende poshtë teje. Mund të kesh zbritur në thellësitë e dheut, por nuk mund të kesh rënë aq poshtë, sa të kesh kapur fundin; [por edhe sikur ta kesh kapur] Ai, prapëseprapë, të shpëton “plotësisht” (Hebrenjve 7:25)

Veç kësaj, ndodh ndonjëherë që sprovat e vështira prej së jashtmi e zhysin të krishterin shumë thellë. Atij i hiqet çdo mbështetje e kësaj bote. Çfarë ndodh atëherë? Prapëseprapë, poshtë tij gjenden “krahët e përjetshëm”. 

Sado të thellë qofshin halli dhe vuajtja ku mund të bjerë një i krishterë, prapëseprapë, ai do të mbetet i rrethuar nga hiri i besëlidhjes së një Perëndie përjetësisht besnik. Vuajtjet e brendshme, për shkak të konfliktit të ashpër, mund ta zhysin thellë të krishterin; por edhe atëherë nuk mund të bjerë aq poshtë, sa të mos arrihet nga “krahët e përjetshëm”—ata gjenden poshtë tij; dhe për sa kohë që ai e ka këtë mbështetjeje, të gjitha përpjekjet e Qoftëlargut për t’i bërë dëm, do të dalin huq. 

Kjo siguri mbështetjeje është një përdëllim për çdo punëtor të lodhur, por të sinqertë në shërbim të Perëndisë. Ajo parakupton një premtim force për çdo ditë, hiri për çdo nevojë dhe fuqie për çdo detyrë.

Dhe së fundi, një premtim i tillë nuk e humbet fuqinë as kur të vijë vdekja. Edhe kur të gjendemi në mes të Jordanit, prapëseprapë do të mund të themi bashkë me Davidin: “Nuk do të kem frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua” (Psalmi 23:4).

Do të zbresim në varr, por nuk do të biem më poshtë, sepse krahët e përjetshëm e ndalojnë rënien tonë të mëtejshme. Gjatë gjithë jetës, përfshirë këtu edhe fundin e saj, do të mbahemi lart nga “krahët e përjetshëm”—krahë që as dridhen dhe as e humbasin fuqinë, sepse “Perëndia i përjetësisë… nuk mundohet dhe nuk lodhet” (Isaia 40:28).


© dritez.al 2024

EtiketaSpurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin