spurgeon dev 11 nëntor pm
Nëntor 2023

Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë.

Psalmi 47:4

Besimtar, edhe në qoftë se trashëgimia jote është mjaft e vogël, qofsh i kënaqur me pjesën tënde në këtë botë; mund të prehesh në sigurinë se ajo është më e përshtatshmja për ty! Fatin tënd e caktoi urtësia e pagabueshme dhe përzgjodhi për ty gjendjen më të mirë dhe më të sigurt të mundshme. Kur një anije e tonazhit të lartë duhet t’i ngjitet lumit përpjetë dhe devijon nga kursi për t’iu shmangur një cekëtine të madhe, nëse dikush do të pyeste: “Përse shmanget kaq shumë nga kursi i drejtë timonieri i anijes, duke e çuar anijen në pjesën më të thellë të kanalit?”, përgjigjja e timonierit do të ishte: “Sepse nuk do të arrija ta çoja anijen time në liman, sikur të mos ecja përgjatë pjesës së thellë të kanalit.”

Kështu mund të të ndodhte edhe ty, pra, të përfundoje në cekëtina dhe të pësoje lundërthyerje, në qoftë se Kapiteni yt hyjnor nuk do të të çonte drejt thellësive të vuajtjes, ku dallgët e halleve e ndjekin njëra-tjetrën me shpejtësi. Disa bimë vyshken për shkak të diellit të tepërt. Mund të jesh mbjellë në një vend që merr pak diell, por je vendosur atje nga Kopshtari i dashur, sepse vetëm në atë gjendje mund të prodhosh fryte përsosmërie.

Kujtoja vetes këtë: në qoftë se për ty do të ekzistonte një gjendje tjetër më e mirë, sesa gjendja ku ndodhesh, dashuria hyjnore do të të kishte vendosur atje. Je vendosur nga Perëndia në situatat më të përshtatshme, madje edhe sikur të kishe mundësi ta zgjidhje fatin tënd, shpejt do të thërrisje: “Zot, zgjidhe Ti trashëgiminë time, sepse për shkak të kokëfortësisë sime jam tejshpuar nga shumë pikëllime!”. Ji i kënaqur me gjërat që ke, sepse Zoti i ka caktuar të gjitha ato për të mirën tënde! Merre mbi krahë kryqin tënd të përditshëm; ai është barra që i shkon më shumë për shtat shpatullave të tua dhe do të jetë mjeti më i efektshëm për të të bërë të përsosur për çdo fjalë e punë të mirë për lavdinë e Perëndisë. Uni egoist dhe padurimi krenar duhen shporrur; nuk u takon atyre të zgjedhin, por Zotit të Dashurisë!

Sprovat duhet dhe do të vijnë—
Por kam besim t’përulur për të par’
Fjalën “dashuri” shkruar mbi to;
Ja pse i lumtur jam.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin