Mars 2023

Mëkati ... edhe më tepër mëkat.

Romakëve 7:13

Ruhuni se mos e mendoni mëkatin si diçka të vogël! Kur sapo jemi kthyer në besim, ndërgjegjja është kaq e ndjeshme, sa i druhemi edhe mëkatit më të vogël. Besimtarët e rinj kanë një ndrojtje të shenjtë, një frikë të perëndishme se mos pa dashje e fyejnë Perëndinë. Mirëpo, fatkeqësisht, pushi i butë mbi këto fryte të para fshihet për shkak të trajtimit të ashpër nga bota rrethuese, ndërsa bima e ndjeshme e përshpirtshmërisë së rinisë kthehet në një shelg me kalimin e viteve, një pemë e cila është tepër e përkulshme dhe lehtësisht e epshme. 

E vërteta e hidhur është se madje edhe një i krishterë mund ta humbë ndjeshmërinë ndaj mëkatit, duke arritur deri aty sa mëkati që më parë i kallte datën, tashmë nuk e alarmon aspak. Pak nga pak njerëzit mësohen me mëkatin. Veshi që mësohet me buçimën e topit, e humb aftësinë për t’i dëgjuar zhurmat më të vogla. Në fillim tmerrohemi edhe nga mëkati më i vogël, por shpejt themi: “A nuk është ky një mëkat i vogël vallë?”. Më pas vjen një mëkat tjetër, më i madh, pas tij edhe një tjetër, dhe pak nga pak zëmë dhe e shohim mëkatin si një të keqe të vogël, derisa përfundojmë te supozimi i pashenjtë: “Nuk kemi rënë në mëkat të hapur. Është e vërtetë që u penguam pak kësaj radhe, por më kryesorja është që mbetëm në këmbë. Mund të na ketë shkarë ndonjë fjalë e pashenjtë, por shumica e bisedës ishte në rregull.” Kështu e nënvleftësojmë mëkatin, e fshehim dhe i vëmë emra qesharakë. 

I krishterë, ruhu se mos e mendon mëkatin si diçka të vogël! Kujdes se mos bie pak nga pak në të! Mëkati, një gjë e vogël? A nuk është ai helm vallë? Kush nuk e njeh natyrën e tij vdekjeprurëse? Mëkati, një gjë e vogël? Vallë, a nuk i dëmtojnë dhelprat e vogla vreshtat? Vallë, a nuk e ndërton insekti i vogël i koraleve një shkëmb të madh, i cili mund të mbysë një anije? Vallë, a nuk rrëzohen lisat e lartë nga goditjet e vogla? Vallë, a nuk e gërryen shkëmbin uji që bie pikë-pikë në mënyrë të vazhdueshme? Mëkati, një gjë e vogël? Ai vendosi kurorën e gjembave mbi kryet e Jezusit dhe ia shpoi zemrën Atij! Për shkak të tij, Jezusi vuajti ankthin, hidhërimin dhe fatkeqësinë. Sikur të mund ta peshoje mëkatin më të vogël në peshoren e përjetësisë, do t’ia mbathje prej tij si prej një gjarpri dhe do ta urreje me gjithë shpirt edhe shfaqjen më të vogël të ligësisë. 

Shikoje çdo mëkat si shkakun e kryqëzimit të Shpëtimtarit dhe do ta kuptosh se është “edhe më tepër mëkat”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin