Mars 2023

Ti do të quhesh “E kërkuara”.

Isaiah 62:12

Hiri i pashoq i Perëndisë shfaqet shumë qartë në faktin se jo vetëm që u kërkuam, por edhe u gjetëm nga Perëndia. Njerëzit kërkojnë një send të humbur në dyshemenë e shtëpisë së tyre, por ata vetëm sa kërkojnë dhe nuk gjejnë dot gjë. Ndërsa, kur e gjejmë diçka, kjo ndodh zakonisht, për shkak se humbja e asaj gjëje është tepër e madhe për ne dhe, për rrjedhojë, kërkimi është mjaft ngulmues. Ne ishim bërë njësh me llumin e fëlliqur, madje ishim si një copë e çmuar ari e cila bie në kanalin e ujërave të zeza, për gjetjen e së cilës, njerëzit duhet të kërkojnë mes një mase fëlliqësirash të neveritshme, duke rrëmuar e trazuar, gërmuar e kontrolluar nëpër të, derisa të gjendet thesari. Apo, nëse do të përdornim një figurë tjetër letrare, ne kishim humbur brenda një labirinti dhe u endëm të pashpresë sa andej-këtej. Mirëpo, kur erdhi mëshira për të na kërkuar me anë të Ungjillit, nuk na gjeti menjëherë, por iu desh të kërkonte shumë për të na gjetur, sepse ne si dele të humbura kishim humbur aq keq dhe ishim endur në një vend aq të pazakontë, saqë dukej e pamundur që madje edhe Bariu i Mirë të mund të na gjente nëpër monopatet tona gjarpëruese. 

Lëvduar qoftë hiri i pamposhtur që na gjeti! Nuk kishte terr që mund të na fshihte, zhul që të mund të na mbulonte; ne u gjetëm dhe u sollëm në shtëpi. Lëvduar qoftë dashuria e pafundme—Perëndia Frymë e Shenjtë na solli përsëri në jetë!

Me siguri që do të mbusheshim me mahnitje të shenjtë, nëse do të mund t’i hidhnim në letër jetët e disa prej njerëzve të Perëndisë! Të mistershme dhe të mrekullueshme janë mënyrat që përdor Perëndia për t’i gjetur të vetët rast pas rasti. Bekuar qoftë emri i Tij, sepse Ai nuk pushon asnjëherë së kërkuari, derisa t’i ketë gjetur në mënyrë të frytshme të zgjedhurit! Ata nuk janë njerëz që gjenden sot dhe që hidhen tutje nesër. Gjithëfuqishmëria dhe urtësia, të ndërthurura së bashku, nuk mund të gabojnë, dhe ata do të quhen: “Të gjetur”! Fakti që dikush duhet të gjendet, është një hir i pakrahasueshëm, por fakti që ne u gjetëm, është hir e shkuar hirit! Nuk mund të gjejmë asnjë arsye tjetër për këtë, veç dashurisë sovrane të vetë Perëndisë, dhe e vetmja gjë që mund të bëjmë, është që t’i lartojmë zemrat tona drejt Tij në mahnitje dhe ta lëvdojmë Zotin, që sonte mbajmë emrin “Të gjeturit”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin