“Unë jam me ju gjithë ditët.”
Mateu 28:20
Sa mirë që kemi Njërin i cili është gjithnjë i njëjti dhe që është përherë me ne! Sa mirë që Ai është një shkëmb i fortë mes shkulmeve të detit të jetës! Le të mos ia falim ndjenjat e shpirtit tonë thesareve të ndryshkura, të ngrëna nga mola dhe të kalbura, por le t’ia falim zemrat tona Atij që qëndron besnik për jetë e mot! Le të mos e ndërtojmë shtëpinë tonë mbi rërat thithëse të kësaj bote mashtruese, por le t’i ngremë shpresat tona mbi këtë shkëmb i cili do të qëndrojë palëvizshmërisht i sigurt edhe në mes të shirave të furishme e përmbytjeve vrumbulluese.
Shpirti im, po të përbej, ruaji thesaret e tua në të vetmen kasafortë të sigurt; fshihi xhevahiret e tua aty ku nuk mund t’i humbësh kurrë! Vendose gjithçka tënden në Krishtin; falja çdo ndjenjë personit të Tij; vendose çdo shpresë mbi meritën e Tij; vendose gjithë besimin tënd në gjakun e Tij të efektshëm; gjeje gjithë gëzimin tënd në praninë e Tij, dhe pastaj do të mund të qeshësh me humbjen dhe të tallesh me shkatërrimin! Mbaj mend që të gjitha lulet në kopshtin e botës, vyshken njëra pas tjetrës, dhe se do të vijë dita kur nuk do të mbetet asgjë tjetër veç tokës së ftohtë e të zezë, dhe vdekja shumë shpejt do ta shuajë qiriun tënd.
Oh, sa bukur është të ndriçohesh nga drita e diellit kur qiriu të jetë tretur! Përmbytja e errët shumë shpejt do të vërshojë ndërmjet teje dhe gjithçkaje që zotëron; prandaj, lidhe zemrën tënde me Atë që kurrë nuk do të të lërë; besoji Atij që do të ecë krah teje përmes rrjedhës së zezë dhe kanosëse të lumit të vdekjes, që do të të çojë të sigurt në bregun qiellor dhe që do të të bëjë të ulesh me Të në vendet qiellore për jetë e mot! Mes dhimbjeve të mundimit, thuaja të fshehtat e tua Mikut që është më i afërt se një vëlla! Besoja të gjitha shqetësimet e tua Atij, të cilin askush dhe asgjë nuk mund ta largojë dot prej teje, Atij që nuk do të të lërë asnjëherë dhe që kurrë nuk do të lërë që të largohesh prej Tij, “Jezu Krishtit që është i njëjtë dje, sot e përjetë” (Hebrenjve 13:8). “Unë jam me ju gjithë ditët”, kjo frazë më mjafton, që shpirti im të jetojë me anë të saj edhe sikur të gjithë të më braktisnin.
© dritez.al 2024