spurgeon dev 11 maj pm
Maj 2023

“Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim.”

Jozueu 1:7

Dashuria e ngrohtë e Perëndisë tonë për shërbëtorët e Tij e bën atë të shqetësohet për ndjenjat e tyre të brendshme. Ai dëshiron që ata të jenë të guximshëm. Disa njerëzve u duket gjë e vogël që një besimtar të trazohet nga dyshimet dhe frikërat, por Perëndia nuk mendon kështu. Nga vargu në fjalë duket qartë se Mësuesit tonë nuk ia ka ënda që ne të zihemi rob nga frikërat. Ai do që të jetojmë pa shqetësime, pa dyshime dhe pa burracakëri. Ndryshe nga ne, Mësuesi ynë nuk e merr asnjëherë mosbesimin tonë si një gjë të parëndësishme. Kur na zë dëshpërimi, biem nën kthetrat e një sëmundjeje të rëndë, e cila nuk duhet nënvleftësuar, por përkundrazi, i duhet paraqitur pa humbur kohë Mjekut shumë të dashur.

Zotit tonë nuk i pëlqen që t’i shohë fytyrat tona të trishtuara. Në oborrin e Asueros ishte ligj që askush nuk mund t’i dilte përpara mbretit me petka zie, por ky nuk është ligji i Mbretit të mbretërve, sepse ne mund të shkojmë tek Ai edhe kur jemi duke vajtuar. Megjithatë, Ai dëshiron që ta flakim tutje frymën e rëndesës dhe, në vend të saj, të veshim mantelin e lavdërimit, sepse vërtet kemi kaq shumë arsye për t’u ngazëllyer. I krishteri duhet të jetë një njeri me një shpirt të guximshëm, me qëllim që ta përlëvdojë Zotin duke i përballuar sprovat e tij me heroizëm.

Burracaku dhe zemërdridhuri e çnderojnë Perëndinë e tyre. Përveç kësaj, mendo pak se çfarë shembulli i keq është ky! Kjo sëmundje e dyshimit dhe dekurajimit është një epidemi që përhapet me shpejtësi mes tufës së Zotit. Një besimtar i dëshpëruar u ngjall trishtim njëzet të tjerëve.

Për më tepër, nëse nuk ke guxim të mjaftueshëm, Satani do të jetë tepër i fortë për ty. Ngazëlleftë fryma jote në Perëndinë Shpëtimtarin tënd; gëzimi i Zotit qoftë forca jote, atëherë, asnjë djall ferri nuk do të mund të fitojë kundër teje! Mirëpo, burracakëria bën që edhe flamuri të të bjerë [nga dora]. Po ashtu, mundimi është më i lehtë për një njeri me frymë të gëzuar; dhe suksesi i përket atij që ka një zemër të hareshme. Punëtorët që ngazëllojnë në Perëndinë e tyre, duke besuar me mish e me shpirt në Të, e kanë të garantuar suksesin. 

Të mbjellësh me shpresë do të thotë të korrësh me gëzim, prandaj, shumë i dashur lexues, “ji i fortë dhe shumë trim”!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin