Ata nuk kanë rrënjë...
Luka 8:13
Shpirti im, shqyrtoje veten këtë mëngjes në dritën e këtij vargu. E ke marrë Fjalën me gëzim, ndjenjat të janë rigjallëruar dhe ky përjetim të ka lënë një mbresë të gjallë, ama mbaj mend që të dëgjuarit e Fjalës dhe marrja e Jezusit në vetë shpirtin tënd janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Ndjenja sipërfaqësore shpesh ndërthuret me ngurtësinë e brendshme të zemrës dhe mbresa e gjallë që të lë Fjala nuk zgjat përgjithmonë.
Në shëmbëlltyrë, një pjesë e farës ra në një tokë shkëmbore, të mbulur vetëm me një shtresë të hollë dheu. Kur fara zuri të lëshonte rrënjë, toka shkëmbore e pengoi rritjen e saj për poshtë, prandaj, të gjitha energjitë u përqendruan në rritjen e kërcellit të gjelbër sa më lart që të ishte e mundur. Mirëpo, duke mos pasur vlagë të brendshme, që vjen nga ushqyerja e rrënjëve, bima u tha. A mos po ngjet kështu edhe me mua vallë? A mos kam pasur një dukje të mirë në mish, pa pasur nga ana tjetër një jetë të brendshme të shëndetshme? Rritja e duhur është ajo që ndodh me të njëjtin ritëm, si lart ashtu edhe poshtë. A jam i rrënjosur në besnikërinë dhe dashurinë e sinqertë për Jezusin? Në qoftë se hiri nuk e ka zbutur dhe plehëruar zemrën time, fara e mirë mund të bulëzojë për një farë periudhe, por me kalimin e kohës do të thahet, sepse nuk mund të lulëzojë në një zemër shkëmbore, të pathyer dhe të pashenjtëruar.
Paça frikë perëndishmërinë që rritet shpejt dhe është e paqëndrueshme si bima e Jonës, dhe e llogaritsha koston e të qenët një ndjekës i Jezusit! Mbi të gjitha, e ndjefsha brenda meje fuqinë e Frymës së Tij të Shenjtë, sepse vetëm kështu do ta ruaj një farë të qëndrueshme dhe të përjetshme në shpirtin tim. Po qe se mendja ime mbetet po aq kokëfortë sa ishte nga natyra, atëherë dielli i sprovës do të djegë, ndërsa zemra ime e ngurtësuar do ta përkeqësojë edhe më shumë zhuritjen mbi farën e mbjellë keq, besimi im do të vdesë shpejt, ndërsa dëshpërimi im do të i tmerrshëm.
Prandaj, o Mbjellës qiellor, plugomë më parë dhe pastaj mbille të vërtetën brenda meje, dhe prodhofsha një të korrë të bollshme!
© dritez.al 2024