spurgeon dev 11 gusht am
August 2023

“Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës.”

Jobi 29:2

Shumë të krishterë janë në gjendje që ta shohin të kaluarën me kënaqësi, por të tashmen e konsiderojnë me zhgënjim. Atyre u kujtohen ditët që kanë kaluar në përbashkësi me Zotin, si më të bukurat dhe më të mirat që kanë jetuar ndonjëherë; mirëpo, sa për në të tashmen, duket sikur ato janë mbuluar nga një vello zymtie dhe monotonie. Dikur jetonin pranë Jezusit, por tani e ndiejnë se janë larguar prej Tij, dhe thonë: “Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës!”. Ankohen se kanë humbur dëshmitë e tyre, ose për faktin që nuk e kanë më qetësinë e mendjes, ose që nuk gjejnë më kënaqësi në mjetet e hirit, ose se ndërgjegjja u ka zënë kallo, ose se nuk e kanë më zellin e dikurshëm për lavdinë e Perëndisë.

Shkaqet e një gjendjeje të mjerueshme janë të shumta. Një shkak mund të jetë fakti që krahasuar me të gjitha gjërat e tjera që bëhen, lutja lihet pas dore, sepse kthina e harruar e lutjes është fillimi i gjithë rënies frymërore. Ose mbase mund të ndodhë për shkak të idhujtarisë. Zemra është dhënë më tepër pas diçkaje tjetër sesa pas Perëndisë; pasionet janë shtënë pas gjërave të botës në vend të gjërave të qiellit. Një Perëndi xheloz nuk do të kënaqet kurrsesi me një zemër të ndarë; Ai duhet të jetë dashuria e parë dhe më e zjarrtë e zemrës. Kështu, Ai do ta tërheqë ndriçimin e pranisë së Tij nga një zemër e ftohtë dhe endacake. Ose shkaku i një gjendjeje të tillë mund të gjendet te vetëbesimi dhe vetëdrejtësia. Krenaria është e zënë me punë në zemër, ndërsa uni lartësohet në vend që të bjerë përmbys në këmbët e kryqit.

I krishterë, nëse sot nuk je siç ishe “në muajt e së kaluarës”, mos u kënaq vetëm duke dëshiruar kthimin e lumturisë sate të mëparshme, por shko menjëherë ta kërkosh Zotin tënd dhe tregoji Atij për gjenden tënde të mjerueshme! Kërkoji hirit dhe fuqisë së Tij që të të aftësojnë për të ecur krah për krah me Të; përulu përpara Tij dhe Ai do të të lartësojë, si edhe do të të japë sërish mundësi të gëzohesh me dritën e fytyrës së Tij. Mos u ul në një qoshe për të psherëtirë e vajtuar! Për sa kohë që Mjeku i dashur jeton, ka shpresë; madje ka siguri shërimi edhe për rastet më të dëshpëruara.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>