spurgeon dev 11 gusht pm
August 2023

…ngushëllim të përjetshëm...

2 e Thesalonikasve 2:16

Ngushëllim. Kjo është një fjalë melodike: si harpa e Davidit, ajo e dëbon tutje frymën e ligë të melankolisë. Barnabës iu bë një nder i rrallë kur u quajt “biri i ngushëllimit” (Veprat e Apostujve 4:36); ky është një ndër emrat e shquar të dikujt që është më i madh nga Barnaba, Zotit Jezus, sepse Ai është ngushëllimi i Izraelit. “Ngushëllim i përjetshëm!” Ky është ngushëllimi më i mirë, sepse natyra e përjetshme e ngushëllimit është kurora dhe lavdia e tij.

Mirëpo, çfarë është ky “ngushëllim i përjetshëm”? Në të gjejmë një ndjesi të mëkatit të falur. Një i krishterë ka marrë në zemrën e tij dëshminë e Frymës, se paudhësitë e tij janë fshirë porsi një re dhe shkeljet e tij si një re e dendur. Në qoftë se mëkati është falur, a nuk është ky vallë një ngushëllim i përjetshëm? Veç kësaj, Zoti u fal njerëzve të Tij një ndjesi të përhershme të të qenët të pranuar në Krishtin. I krishteri e di se kur Perëndia i hedh sytë tek ai, e sheh të bashkuar me Jezusin. Bashkimi me Zotin e ringjallur është një ngushëllim i shkallës më të lartë; në fakt, ai është i përjetshëm. Nuk ka rëndësi nëse na përul sëmundja—a nuk kemi parë vallë qindra besimtarë që ishin po aq të lumtur kur ishin të mposhtur nga sëmundja, sa do të kishin qenë edhe kur ishin shëndoshë e mirë si molla?

Edhe nëse shigjetat e vdekjes na e tejshpojnë zemrën, ngushëllimi ynë nuk njeh vdekje, sepse e kemi dëgjuar shpesh këngën e shenjtorëve tek ngazëlleheshin se i kishin zemrat të mbushura plot e përplot me dashurinë e gjallë të Perëndisë në çastet kur po ndërronin jetë. Po, ndjesia e të qenët i pranuar në Shumë të Dashurin është një ngushëllim i përjetshëm. Veç kësaj, i krishteri është i bindur për sigurinë e vet. Perëndia ka premtuar t’i shpëtojë ata që besojnë në Krishtin: i krishteri beson në Krishtin dhe beson se Perëndia do t’i qëndrojë besnik fjalës së Vet dhe do ta shpëtojë. Ai ndihet i sigurt në saje të lidhjes së tij të pazgjidhshme me personin dhe veprën e Jezusit. Këtu kemi një ngushëllim të cilin s’mund ta gjejmë dot askund tjetër dhe tek askush tjetër!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>