spurgeon dev 11 dhjetor am
December 2023

Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.

1 e Thesalonikasve 5:24

Qielli është një vend ku nuk do të mëkatojmë më kurrë, një vend ku beteja jonë me të ligun do të marrë fund; atje nuk do të ketë asnjë tundues që të na zërë në grackë. Atje të ligjtë nuk shkaktojnë telashe, dhe të lodhurit janë në prehje. Qielli është trashëgimia e panjollë; është toka e shenjtërisë së përsosur, dhe si rrjedhojë, është vendi i sigurisë së plotë.

Mirëpo, a nuk i shijojnë ndonjëherë edhe shenjtorët mbi tokë gëzimet e sigurisë së hareshme? Doktrina e Fjalës së Perëndisë thotë se të gjithë ata që janë të bashkuar me Krishtin, janë të sigurt; se të gjithë të drejtët nuk do t’i shmangen shtegut dhe se të gjithë ata që ia kanë lënë Krishtit shpirtin për ruajtje, do të zbulojnë që Ai është një mbrojtës besnik dhe i pandryshueshëm.

Të forcuar nga një doktrinë e tillë, ne mund të gëzojmë sigurinë edhe këtu në tokë—jo sigurinë e lartë dhe të lavdishme që na shpëton nga çdo rrëshqitje, por atë sigurinë e shenjtë që ngrihet nga premtimi i besueshëm i Jezusit se asnjë nga ata që besojnë tek Ai, nuk do të humbasë kurrë, por se do të jenë me Të aty ku Ai ndodhet. Besimtar, medito shpesh dhe me gëzim mbi doktrinën e këmbënguljes së shenjtorëve, dhe nderoje besnikërinë e Perëndisë tonë duke pasur një siguri të shenjtë në Të! 

Perëndia të faltë një ndjesi të sigurisë që ke në Krishtin Jezus! Të siguroftë që emri yt është gdhendur në dorën e Tij dhe të pëshpërittë në vesh premtimin: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty.”

Hidhe vështrimin tek Ai, Dorëzani i madh i besëlidhjes, sa besnik, aq edhe i vërtetë, dhe, si rrjedhojë, i detyruar e i përkushtuar të të paraqesë ty, me dobësinë tënde, së bashku me gjithë pjesën tjetër të racës së zgjedhur, përpara fronit të Perëndisë. Duke soditur një pamje kaq të bukur, do të pish kupën e shpëtimit dhe do të shijosh frutat e parajsës. Do të kesh një parashijim të kënaqësive që i magjepsin shpirtrat e shenjtorëve në qiell, në qoftë se mund të besosh me besim të palëkundur se “besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin